KDI: SHSKUK furnizohet me produkte me çmime dyfish më të larta, humben rreth 60 mijë euro

E publikuar: 30/03/2021 12:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sipas Institutit Demokratik të Kosovës, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) më datën 28 dhjetor 2020 ka nënshkruar kontratë emergjente një burimore për furnizim me Heparin Natrium 20000 IU/mL, në ampula 1 m/L me kompaninë “Liri Med”.

KDI ka gjetur se SHSKUK kishte shkelur kontratën në fjalë duke pranuar një produkt ndryshe nga ai që kishte kontraktuar, respektivisht Heparin Natrium amp. 25000 IU-5ml.

Sipas KDI’së, po i njëjti institucion, më datën 24 nëntor 2020 kishte shpallur tenderin me procedurë të hapur për furnizim me barna nga Lista Esenciale, ku në Lot-in 29 kërkohej Heparin Natrium 20000 IU/mL, në ampula 1 m/L. Vlera e parashikuar për këtë lot ishte 42,800.00 euro.

“Lidhur me Lot-in 29, SHSKUK kishte pranuar vetëm një ofertë dhe atë nga “Liri Med”, i cili ofertoi me produkt ndryshe nga ai që ishte kërkuar, pra me Heparin Natrium amp. 25000 IU-5ml. Duke u nisur nga ky fakt, SHSKUK shpalli këtë ofertë si të papërgjegjshme me arsyetimin se operatori ka ndryshuar specifikat e produktit dhe mori vendim për t’a anuluar Lot-in 29. Një arsye tjetër e anulimit ishte edhe fakti se oferta e operatorit kishte tejkaluar vlerën e parashikuar për këtë furnizim, e cila ishte 4.28 EURO për njësi”, thuhet nga KDI.

Përkundër këtyre veprimeve që SHSKUK i kishte bërë vetëm një muaj më parë, i njejti institucion përmes kontratës emergjente të lartëcekur, pranon furnizime jashtë specifikave të kontratës dhe atë me çmim dyfish më të lartë për njësi, 8.50 EURO.

Humbjet e parasë publike sipas KDI vlerësohen të jenë 59,920.00 EURO. Me datën 13 janar 2021, KDI ka pranuar konfirmimin nga Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), se Heparin Natrium 20000 IU/mL, në ampula 1 m/L, nuk është i regjistruar dhe as i importuar zyrtarisht në Kosovë.