Kasolli: Deklaratat e Konjufcës se “dialogu ka vdekur” janë konfuze, Lajçak tha se të dy vendet s’kanë hequr dorë nga dialogu

E publikuar: 09/09/2024 15:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Analisti politik Afrim Kasolli, i ka quajtur konfuze deklarata e kryeparlamentarit Glauk Konjufca, se dialogu Kosovë-Serbi ka “vdekur” dhe se fundi i këtij dialogu ka qenë sulmi terrorist i ndodhur më 24 shtator në Banjskë.

Kjo pasi sipas tij, javën e kaluara pas vizitës së të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, u tha se Kosova dhe Serbia nuk kanë hequr dorë nga dialogu dhe se ai pritet që të vazhdojë ditët në vazhdim.

Kasolli ka thënë për Ekonomia Online se edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca e kryediplomatja Donika Gërvalla, janë shprehur se janë për një ri-dinamizim më të madh të procesit të dialogut.

“Në fakt deklarata e sotme e kryetarit të Kuvendit që e shpalli të vdekur, madje që tha arkivoli i këtij dialogu ja ka dhënë sulmi paramilitar dhe agresioni terrorist nga Serbia me 24 shtator në fshatin Banjësk, shpreh një lloj konfuzioni në të cilin ndodhet qeveria e Kosovës, përkatësisht politika e jashtme në raport me dialogun. Sepse nuk ka një javë apo dy javë me herët vetë kryeparlamentari Konjufca, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla u shprehen se janë për një ri-dinamizim më të madh të procesit të dialogut. Po ashtu nëse i marrim për konsideratë deklarimet e të dërguarit të BE-së  për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, ai deklaroi hapur se sipas tij të dy vendet si Serbia ashtu edhe Kosova, nuk kanë hequr dorë nga dialogu, përkatësisht nga zbatimi i obligimeve që i kanë marrë me marrëveshjen bazike të Brukselit dhe aneksin e zbatimit në Ohër, në një farë mënyre kjo ishte një deklaratë e pa papritur”, ka thënë ai.

Kasolli e ka quajtur konfuz edhe momentin që Konjufca e ka quajtur të vdekur dialogun (pas sulmit në Banjskë, më 24 shtator), pasi sipas tij, pak kohë pas sulmit terrorist Kuvendi i Kosovës kishte miratuar një rezolutë ku e shprehet zotimin e saj për vazhdimin e dialogut si dhe kryeministri Kurti ishte takuar me përfaqësuesit e BE-së  dhe nga ato takime kishte dalë propozimi për draft statutin e Asociacioni të Komunave me shumicë serbe.

“Nëse shohim edhe momentin kur ai e konsideron të vdekur është po ashtu konfuz sepse, pak kohë pas atij sulmi, fillimisht Kuvendi i Kosovës, e kishte miratuar një rezolutë ku e shprehet zotimin e saj për vazhdimin e dialogut, por natyrisht kërkonte krijimin e një Komisioni ndërkombëtare për hetimin e asaj ngjarje gjë që kjo nuk ka ndodhur. Dhe në anën tjetër pak pas atij sulmi kryeministri Kurti ishte takuar me përfaqësuesit e BE-së  dhe nga ato takime kishte dalur propozimi për draft statutin e Asociacioni të Komunave me shumicë serbe dhe ishin të njëjtit persona, ishte i njëjti person që në atë kohë r mbronte këtë draft-statut dhe e konsideronte që është në pajtim dhe në frymë më Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se në tersi këto janë deklarata të ndryshme, të pa koordinuara që shprehin konfuzionin në përgjithësi të pushtetit aktual në raport me procesin e dialogut.

“Në tersi këto deklarata të ndryshme, këto deklarata të pa koordinuara, shprehin konfuzionin në përgjithësi të pushtetit aktual në raport me procesin e dialogut. Kur marrim parasysh edhe deklarimet e presidentes Osmani e cila kohë pas kohë ka filluar, ta firmoj një strategji tjetër që Kosova mund ti zbatoj obligimet që dalin nga dy marrëveshjet, por me kusht që ajo të ketë garancione dhe sigurinë ndërkombëtare se do të zhbllokohet agjenda e konsolidimit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës dhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare siç janë NATO dhe mekanizma të tjerë”, ka thënë ai.