Kandidati serb për kryeministër të Malit të Zi: Me nderin më të madh e nënshkruaj çnjohjen e Kosovës

E publikuar: 22/05/2023 08:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Politikani pro-serb Millan Knezheviq, bartësi i listës “Për të Ardhmen e Malit të Zi”, tashmë kur s’kanë mbetur as një muaj nga zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi, tha se “me nderin më të madh” do ta nënshkruante çnjohjen e Kosovës.

Ai shton se të gjithë e dinë dhe se “nuk është sekret” se nëse vetëm koalicioni për Ardhmen e Malit të Zi do të kishte 41 deputetë, dhe ai si bartës i listës do të zgjidhej kryeministër, do të firmoste Vendimin për tërheqjen e njohjes së Kosovës “me nderin më të madh”.

Knezheviq, i cili ishte personi i parë që u vizitua nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në rastin e ditës së inaugurimit të Presidentit Jakov Milatoviq, morri zemër në këtë drejtim. “Edhe po të ishte dita e fundit e jetës sime do ta nënshkruaja çnjohjen”, u shpreh ai, raporton media nga Mali I Zi “Pobjeda“.

Në një tryezë të ashtuquajtur “akademike” me titullin “Mali i Zi dhe njohja e shtetit të rremë të Kosovës”, Knezheviq tha se e kupton që është “politikisht përfituese për të heshtur rreth Kosovës”.

“Pavarësisht se sa fishkëllojnë dhe pavarësisht se të dhemb koka, shtiru se gjithçka është në rendin më të mirë. Sepse kur zgjedhjet të kenë përfunduar dhe votat të jenë numëruar, në vend se të shkojnë te populli dhe në Kuvend, dikush do të shkojë nëpër ambasada dhe të pyes: ‘Po çka të bëjmë ne me koalicionin Për të Ardhmen e Malit të Zi, sepse ata nuk e njohin Kosovën’”, ka thënë Knezheviq.