Kadrijaj: Protestova me bashkëluftëtarët që ua shërova plagët në luftë

E publikuar: 16/06/2022 22:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, deklaroi se ka marr pjesë në protestë si veterane e luftës, dhe se nuk bën politikë me ta.

Në emisionin Rubikon në Klan Kosova, ajo u shpreh se ngjarja e sotme e ka emocionuar deri në derdhje të lotit.

“Kam dashur t’i bashkohem bashkëluftëtarëve të mi, invalidëve të luftës që plagët e tyre unë i kom shëruar në luftë, dhe ka qenë e drejtë e imja legjitime. Unë nuk bëj politikë me veteranët. Unë ata i ndjej shpirtnisht. Kam qarë në protestë se kjo qeveri i ka detyruar veteranët të dalin e të protestojnë, dhe më ka ardhur turp kur janë ballafaquar kordonët e policisë dhe të veteranëve”, deklaroi ajo.

Kadrijaj shtoi se veteranët po kërkojnë që tash të përfshihen në pagën minimale, ndërsa sipas saj, Vetëvendosje po flet për një plan afatgjatë për reforma në skemën sociale, etj., dhe se duke pasur praktika të mëparshme që ato po shtyhen dhe nuk përfundojnë proceset, tash veteranët me prit deri sa te bëhet një reformë në sistemin pensional është e pakuptimtë.

“Nuk po duam ta politizojmë këtë çështje. Është tendencë e përçarjes mes popullatës, mes përfituesve të pagës minimale dhe veteraneve”.

Si përfundim, deputetja e AAK deklaroi se mendon që kryeministri Kurti bashkë me stafin e tij duhet të reflektojnë dhe t’i premtojnë shoqatave të luftës që në amandamentimin e projektligjit, mes dy leximeve do të përfshihen edhe veteranët e luftës, sepse sipas saj, zgjidhje tjetër nuk ka dhe se kjo është zgjidhja.