
Çështja e veteranëve vazhdon të jetë e diskutuar ditët e fundit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se duhet të ketë rritje të pensioneve për veteranët pasi i meritojnë, por që kjo të bëhet pasi të pastrohen listat e tyre.
“Dëshiroj që të ketë vlerësim më meritor të dinjitetshëm për të gjithë veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ata meritojnë edhe më shumë se sa paga minimale, por ajo nuk mund të jetë pagë sepse paga jepet për punë. Dhe ka shumë veteranë që kanë nevojë për vende pune mirëpo për luftën çlirimtare duhet të ekzistojë një vlerësim meritor edhe material veçse nuk duhet ta mashtrojmë as veten dhe as gjeneratat e ardhshme me numër të fryrë gati në trefishim prandaj është e domosdoshme që njëherë ta kemi pikënisje të vërtetën dhe më pastaj ta kemi vlerësimin e duhur. Ne e kemi trashëguar një gjendje kur janë fryrë padrejtësisht, gabimisht dhe dëmshëm listat me veteranët e luftës çlirimtare”, tha Kurti.
Lidhur me këtë, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, e cila ka qenë luftëtare e UÇK-së, ka thënë për Gazeta Blic se askush nuk është kundër pastrimit të listave, nëse gjykata ka bazë për një person që s’ka qenë pjesë e UÇK-së.
Por, sipas saj, veteranët duhet të jenë pjesë e rritjes së pagës minimale.
“Askush asnjëherë nuk ka kërkuar që të mos pastrohen listat e veteranëve nëse gjykata ka bazë se një person s’ka qenë pjesë e UÇK-së. Por në asnjë mënyrë nuk bën që veteranët të përjashtohen nga rritja e pagës minimale”, thotë deputetja.
Ajo për Gazeta Blic ka shtuar se Kosova duhet të marrë shembullin e Kroacisë, që i trajton me dinjitet luftëtarët e lirisë.
“Ne e kemi një shembull të mirë të trajtimit me dinjitet të luftëtarëve të lirisë e kjo është Kroacia. Andaj ne si shtet këtë model të trajtimit duhet ta marrim”, deklaron Time Kadrijaj.