Jovanoviq mundohet t’ua “çelë sytë” serbëve: Kosova ka ikur përgjithmonë

E publikuar: 17/02/2018 20:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i partisë Liberal Demokratike, Çedomir Jovanoviq ka deklaruar se “Kosova përgjithmonë ka shkuar” dhe se këtë duhet thënë.

LDP në qëndrimin e saj gjithmonë ka qenë e vetmuar, por asnjëherë nuk ka hequr dorë dhe asnjëherë nuk do t’i mbështes ata që nuk kanë guxim që të përballen me realitetin, ka thënë lideri i kësaj partie.

Jovanoviq me rastin e 10 vjetorit të shpalljes së Kosovës shtet, ka thënë se se ky përvjetor sjell në mendje se koha po kalon pa ndalë megjithë dëshirën e pjesës më të madhe të elitës politike që ajo të ndalet, përcjellë lajmi.net.

Po ashtu Jovanoviq thekson se as në vitin 2008 në vigjilje të shpalljes së Kosovës shtet i pavarur, kjo parti nuk ka qenë me shumicën dhe se nuk ka pranuar të gënjej.

“Nuk ka pranuar t’i gënjej qytetarët se Kosova mund të mbetet pjesë e Serbisë pas një dekadë tragjike, të dhunshme dhe sjellje të gabuar”, ka thënë ai.

“Edhe aso kohe, sikurse sot, kemi folur se si Kosova përgjithmonë ka shkuar dhe kjo është e vërteta – e dhimbshme, tragjike, por e vërteta që ua kemi borxh t’ua themi serbëve. As atëherë, sikurse sot, nuk kemi hequr dorë nga besimi se lidhje të veçanta të Kosovës dhe Serbisë janë jo vetëm të mundshme, por të domosdoshme”, ka thënë Jovanoviq. /Lajmi.net/