Jeta në burg e 34 grave të dënuara për vrasje

E publikuar: 30/04/2022 22:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Jeta pas grilave nuk është aspak e lehtë, dhe pendesa është e menjëherëshme. Pavarësisht kushteve dhe trajtimit të pranueshëm në institucionet ku kryhen dënimet, mesazhi që vjen nga atje, nga gratë që kryen akte të rënda në rrethana të ndryshme, është se vrasja asnjëherë nuk duhet parë si zgjidhje e problemit.

Kartolina, tash e 10 vjet është dhurata më e çmuar e saj. Vajza që e la 11 muajshe, nuk harron në asnjë ditëlindje ta urojë nënën e saj. Dënim për herë të dytë mbetet dyshimi nëse do të vazhdojë të marr kartolina nga vajza pasi ajo do të kuptojë të vërtetën. Kjo është një nga të burgosurat në burgun për femra dhe të mitur në Lipjan (identiteti i njohur për redaksinë).

“E penduar jam në maksimum, por ishalla veç vajza nuk më urren”, thotë kjo grua në intervistë për RTK-në.

Sikurse kjo, ka edhe gra të tjerë. Një tjetër, është duke e vuajtur dënimin me burg prej 13 vjetësh, për vrasjen e bashkëshortit.

“Kur s’e ke përkrahjen e familjes vjen këtu ku jam unë. U martova shumë e re 16 vjec e linda një vajzë. Ai e rrhake vajzën 11 mujshe e unë s’e kam ditë se ai i kish pas edhe 4 fëmijë të tjere. Tri vjet kemi pas mosmarrëveshje dhe aksidentalisht ndodhi dhe jam këtu ku jam”, thotë ajo.

Mosmarrveshjet sipas të dënuarës kishin filluar qysh në fillim të martesës. Pas lindjes së vajzës, ndarjen kjo nënë nuk e kishte opsion. Ajo thotë se janë të shumtë faktorët që drejtuan atë tek kryerja e krimit, për të cilin thotë se është penduar.

Në Qendrën Korrektuese në Lipjan aktualisht janë 34 gra të dënuara dhe në paraburgim.

Krahasuar me burrat që kanë kryer veprën penale të vrasjes së bashkëshortes, numri është shumë i vogël tek gratë.

Në këtë qendër, për mirëqenien e tyre dhe knotaktet me familjen, kujdeset zyrtarja sociale Selvie Berisha.

“Mundohem t’i afroj me familje edhe kur nuk e kanë përkrahjen e tyre“, thotë Berisha. Më tej, zyrtarja Berisha tregon për mundësitë që kanë të burgosurat.

“Shfrytëzimin e vikendeve mund ta shfrytëzojnë pas kryerjes së një të tretat e dënimit, kurse lirimi me kusht varet nga veprat”.

Zëvendës drejtoresha e Qendrës Korrektuese në Lipjan, Leonora Sahiti thotë se për t’ia lehtësuar qëndrimin në burg, në nivel institucioni angazhimet janë të vazhdueshëm për t’u ofruar programe trajnimi, grave të dënuara.

“Shëtitje, bibliotekë, aktivitete sportive, janë të angazhuara në punë në kuzhinë furrtari, trajnime artizanate ka nevojë për mbështetje në trajnime të tjera”, thotë Sahiti.

Sipas Zëvëndësdrejtoreshës të gjitha nënat të cilat kanë fëmijë deri në moshën 18 muajshe kanë të drejtë t’i mbajnë afër vetes në burg.

Një kërkesë e vazhdueshme e të burgosurave është që paneli për liri me kusht t’i marrë për bazë më shumë rekomandimet e Qendrës Korrektuese, e në këtë pikë vërejtje kanë të gjitha institucionet që bëjnë monitorimin e burgjeve. Vërejtjet kryesisht kanë të bëjnë më faktin e numrit të vogël të faljeve nga institucioni i Presidencës.

Fidane Zekaj, këshilltare Juridike për parandalim të torturës thotë se ka pasur ankesa të vazhdueshme që nga paneli nuk po trajtohen njësoj të gjitha rastet.

Kritikave sa i përket lirimit me kusht përmes postës elektronike është përgjigjur paneli për lirim me kusht, i cili funksion si i pavarur në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë. Sipas tyre personi i dënuar për vepër penale për të cilën është paraparë dënim me të paktën pesë (5) vjet burgim, mund të lirohet me kusht pasi të ketë mbajtur dy të tretat (2/3) e dënimit të shqiptuar. Për vepra tjera penale, personi i dënuar mund të lirohet me kusht pasi të ketë mbajtur gjysmën e dënimit të shqiptuar.

Gjithashtu kryesuesi i Panelit për Lirim Rasim Rasimi ka thënë se një i dënuar për tu liruar me kusht duhet t’i plotësoj kriteret e caktuara me ligj e të cilat janë.

Të dënuarat në Qendrën Korrektuese në Lipjan janë dëgjuese të rregullta të lajmeve, ato thonë se i përcjellin me shqetësim rastet e vrasjeve, e sidomos të grave nga burrat, por ato vlerësojnë se ligji nuk po zbatohet njëjtë kur flitet për gra që kryejnë vrasje ndaj burrave.

Avokatja Fehmie Gashi Bytyqi, thotë se ka pasur rast të ketë klientë të dy gjinitë për veprën penale të vrasjes, por sipas saj në shqiptimin e dënimit final merren parasysh faktorë dhe nuk mund të thuhet që ka diskriminim.

“Kam pasur raste kur kam mbrojtur burrin që e ka vra gruan dhe grua që ka vra burrin, aty gjithçka dallon varësisht nga mënyra, arsyeja, dëshmitë, faktet e gjetura dënimi për këto raste 25 vjet deri me burg të përjetshëm”, thotë avokatja Bytyqi

“Në rastin kur burri e ka vra gruan është denu me 30 vjet burg, kurse gruaja e cila është vërtetu që ka pas afekt mendor është dënu me 4 vjet dhe i ka mbajt vetëm dy vjet dhe është rehabilitu dhe iu është thyer fëmijëve”.

Se rrethanat dallojnë e thotë edhe Arrita Rezniqi nga Instituti për Drejtësi, të cilët i përcjellin në vazhdimësi seancat gjyqësore.

“Nuk mund të bëjmë një analizë sa i përket dënimeve sepse secila dallon nga tjetra si te burrat ashtu edhe te gratë”, thitë Arrita Rezniqi nga IKD.

Gjithsesi, ajo që mbetet e sigurt është se jeta pas grilave nuk është aspak e lehtë, dhe pendesa është e menjëhershme. Pavarësisht kushteve dhe trajtimit të pranueshëm në institucionet ku vuhen dënimet, mesazhi që vjen nga atje është se vrasja asnjëherë nuk duhet parë si zgjidhje e problemit./InfoSot/