Jep dorëheqje drejtori i Drejtoratit për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve pas dhunimit të 11-vjeçares

E publikuar: 31/08/2022 13:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ali Gashi ka dhënë dorëheqje këtë të mërkurë nga pozita e Drejtorit të Drejtoratit për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve.

Dorëheqja e Gashit vjen pas rastit të rëndë që ndodhi në Prishtinë, ku një 11-vjeçare dyshohet se është dhunuar nga pesë persona.

“Pas rastit të dhunimit të 11 vjeçares, si akt moral jep dorëheqje Drejtori i Drejtoratit për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve, z. Ali Gashi”, thuhet në njoftimin për media të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Tutje, thuhet se dorëheqja ka ardhur si akt moral i Gashit, pasi që njëri nga të dyshuarit për dhunim ka qenë në mbajtje të dënimit në institucione korrektuese për disa vepra penale.
“Dorëheqja është miratuar nga Shërbimi Korrektues i Kosovës”, thuhet mes tjerash në komunikatën për media.

Ndryshe, për të njëjtën arsye të martën ka dhënë dorëheqje edhe Samedin Mehmeti nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm i Policisë së Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur të martën ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përmes një postimi në Facebook.

“Sot gjatë ditës kam pranuar kërkesën për dorëheqje nga z. Samedin Mehmeti, Drejtor i Policisë së Kosovës. Kjo kërkesë sipas z. Mehmeti erdhi pas rastit të fundit të dhunimit të 11 vjeçares, për arsye personale dhe ndërgjegje profesionale”, ka shkruar Sveçla.

Ai tutje ka bërë të ditur se ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës është caktuar Fehmi Hoti.

“Tashmë Kryeministri Kurti ka liruar nga detyra z. Mehmeti dhe ka caktuar si ushtrues detyre të Drejtorit të Përgjithshëm z. Fehmi Hoti, Zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës. Me këtë rast falënderoj z. Mehmeti për angazhimin e deritanishëm dhe bashkëpunimin e mirë si dhe i uroj suksese në detyrat e mëtejme në Policinë e Kosovës”.

Ndryshe, për dhunimin e 11 vjeçares në Prishtinë janë arrestuar pesë personat e dyshuar. /Telegrafi/