Jelena, në kërkim të rrënjëve shqiptare (VIDEO)

E publikuar: 06/07/2022 06:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Jelena Stankoviq u braktis dhjetë ditë pasi erdhi në jetë, në Beograd, për t’u birësuar pas 12 muajsh. Historinë e adoptimit ajo e kuptoi kur i mbushi 12 vjet. Mirëpo, tash si 40-vjeçare, Jelena synon ta mësojë edhe historinë e braktisjes dhe të vërtetën e rrënjëve të saj, të cilat dyshon se janë shqiptare.

Jelena u braktis më 24 gusht të vitit 1983, në shkallët e një ndërtese në rrugën “Lazarevicena”, në Beograd, ku u gjet aty nga dy gra, 60 respektivisht 40-vjeçare, të cilat e dërguan në jetimoren e qytetit. Ajo qëndroi aty vetëm një vit, pasi që më 23 gusht 1984 ajo u adoptua nga një çift serb, Mirjana dhe Andjelko Cosovic, që jetonin në Cyrih të Zvicrës.

Kur Jelena mbushi 12 vjet, do të kuptonte se Marijana dhe Andjelko nuk ishin prindërit e saj të vërtetë. Megjithatë, ky lajm nuk e kishte tronditur shumë, pasi Jelena thotë për KIKS-in se gjithmonë e ka ndjerë që prindërit që e rritën e u kujdesën për të nuk ishin nëna dhe babai biologjik.

Jelena kishte gjetur mbështetje të nëna e saj birësuese, e cila i kishte thënë se do t’i rrinte krah për ta gjetur nënën e saj biologjike. Sidoqoftë, ajo që në atë kohë i kishte vënë vetës një premtim se kërkimin për prindërit e vërtetë do ta bëjë vetë, pasi t’i mbushë të 18-tat.

Ashtu edhe ndodhi. Kërkimet ajo i nisi në Serbi, por pa sukses, pasi që në dokumentet që ia kishin ofruar prindërit birësues dhe që i kishte gjetur vetë, mungonin shumë të dhëna, vendlindja dhe informacionet për prindërit e saj.

Shpresa se do t’i gjente prindërit e vërtetë, Jelena thotë se iu ringjall në moshën 33-vjeçare, kur kishte dëgjuar për një test të ADN-së, i cili thuhet se nxjerr shumë të dhëna për prejardhjen.

Ndonëse, nuk ishte shokuar kur e kishte marrë lajmin se është e birësuar, Jelena u shokua kur e pa rezultatin e këtij testi.

Sipas testit, Jelena doli të jetë 100 për qind shqiptare, madje testi jepte shenja se rrënjët e saj vinin nga rajoni i Gjilanit në Kosovë.

“Por, para disa viteve, përmes një të njohure, e kam kuptuar çështjen e prejardhjes dhe e bëra ADN-në dhe pastaj u shokova shumë, kur e kuptova që nuk kam lidhje me serbët, por unë jam shqiptare e Kosovës, sipas gjasave nga Gjilani”, tha ajo për KIKS-in.