Javën tjetër vendoset për Rregulloren për ngritjen e aktakuzave të Speciales

E publikuar: 21/04/2017 08:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dhomat e specializuara kanë ndërmarrë një varg vendimesh në funksion të shqyrtimit të Rregullores së Procedurës dhe Provave, pas fuqizimit të të cilit dokument do të krijohet baza ligjore për ndjekjen dhe gjykimin e personave që pretendohet t’i kenë kryer krimet që senatori Dick Marty i ka listuar në një raport, i cili gjashtë vjet më parë ka marrë edhe vulën e Këshillit të Evropës. Verdikti për këtë dokument do të jepet javën e ardhshme.
Muajin e shkuar, Specialja ka miratuar Rregulloren. Ajo i është nënshtruar edhe kontrollit kushtetues, shkruan sot Koha Ditore. Mbështetur në të dhënat zyrtare të Speciales, Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese do ta japë fjalën e vet më së largu më 27 prill.

“Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese ende nuk ka nxjerrë përfundimet në lidhje me shqyrtimin e Rregullores së Procedurës dhe Provave. Përfundimet në lidhje me shqyrtimin e Rregullores do të dalin brenda 30 ditësh nga referimi i Rregullores së Procedurës dhe Provave prej kryetares, referim i cili u bë më 27 mars”, thuhet në një përgjigje të shkruar që Specialja ia ka përcjellë gazetës. “Përfundimet në lidhje me shqyrtimin e Rregullores do të bëhen në Holandë (shteti pranues)”.

Dy vendime janë marrë deri tash në funksion të krijimit të kushteve për Dhomën e Specializuar të Kushtetueses, në mënyrë që ajo ta shqyrtojë Rregulloren. Është vendosur për selinë e saj e edhe për gjuhën në të cilën do të punohet.