Japonia i dhuron Kosovës pajisje mjekësore në vlerë 810 mijë euro

E publikuar: 22/06/2021 17:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka pranuar sot pjesën e dytë të pajisjeve mjekësore nga Qeveria e Japonisë, donacion ky i cili përfshinë 7 monitorë shtrati, tre termografë, dy aparate me ultratinguj dhe një radiografi mobile.

Të gjitha këto pajisje do të shpërndahen në Klinikat e SHSKUK-së dhe spitalet e përgjithshme të Kosovës.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se këto pajisje përmbyllet marrëveshja e grantit japonez nga Programi për Zhvillim Ekonomik dhe Social i Japonisë.

I pari i shëndetësisë kosovare tha se situata aktuale e pandemisë është shumë e mirë dhe po përmirësohet.

Vitia: Shpreh mirënjohje të përzemërt për mbështetjen e popullit japonez për Kosovën

“Sot, ne jemi këtu për të pranuar pjesën e dytë të pajisjeve të ofruara nga Qeveria e Japonisë, përmes grantit japonez për programin e zhvillimit ekonomik dhe social 2020, në vlerë 800.000 euro. Ministria e Shëndetësisë sot pranon pjesën e dytë e të fundit të pajisjeve mjekësore, të prodhuara në Japoni, ku janë 7 monitorë shtrati, 3 termografë, 2 aparate me ultratinguj dhe 1 radiografi mobile, që është një donacion nga qeveria e Japonisë. Pas mbërritjes së këtyre pajisjeve, marrëveshja e grantit është zbatuar plotësisht… Këto pajisje sigurisht që do të shpërndahen në spitalet e përgjithshme dhe në klinikat e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, dhe do të doja t’ju informoja se bazuar në situatën epidemiologjike, dhe lajmet që kemi këto ditë, situata është shumë e mirë dhe po përmirësohet”, tha ai.

Mitsunori Ogasavara nga Ambasada japoneze në Prishtinë tha se këto pajisje janë pjesë e donacionit të ofruara në kuadër të Programit të Zhvillimit Ekonomik dhe Social të Japonisë. Ai tha se kjo pjesë e donacionit së bashku me donacionin e mëhershëm kanë koston rreth 810 mijë eurosh.

Ogasavara: Këto pajisje do të instalohen në QKUK dhe spitalet regjionale

“Jemi sot këtu për të dorëzuar pajisjet mjekësore japoneze, të cilat do të instalohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe spitalet rajonale në të gjithë Kosovën me mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë. Së bashku me 20 pompa shiringash dhe 10 elektro-kardiograma që kemi dorëzuar muajin e kaluar, kjo është pjesa e fundit dhe më e rëndësishme e Programit të Zhvillimit Ekonomik dhe Social të Japonisë në shumë totale rreth 810 mijë euro, marrëveshja e cila u nënshkrua shtatorin e kaluar. Përveç këtij Programi të Zhvillimit Ekonomik dhe Social, Japonia ka mbështetur Kosovën edhe në luftën kundër pandemisë. Vitin e kaluar ne kemi furnizuar 12,200 medikamente të Avigan Medicine për QKUK, siguruam 367.580 grupe PPE (pajisje për mbrojtje personale) për të gjitha qendrat e mjekësisë familjare në të gjithë Kosovën”, tha ai.

Krasniqi: Këto pajisje janë të domosdoshme

Ndërsa, drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi tha se pajisjet të pranuara sot nga qeveria japoneze janë shumë të nevojshme për pacientët e Kosovës. Ai tha se përmes rëntgenit ultrasonografik do të ofrohen ekzaminimet të këtij lloji për herë të parë në Kosovë.

“Këto pajisje janë më së të domosdoshme aparati i rëntgenit mobil, dy aparate ultrasonografike monitorët dhe pajisjet tjera janë më se të nevojshme e veçoj një aparat ultrasonografik, melostografi që për herë të parë do të kemi në institucionet tona publike dhe pacientët tanë nuk do të shkojnë jashtë Kosovë për ekzaminime. Ne ju sigurojmë se të gjitha pajisjet që vijnë donacion në QKUK dhe spitalet e përgjithshme do të përdoren vetëm për qëllimin e destinuar dhe do kujdesemi maksimalisht që t’i mirëmbajmë dhe t’i servisojmë, dhe t’i përdorim në mënyrë të rregullt gjithmonë në të mirë të pacientëve”,tha ai.