Ja si trafikohen shqiptarët drejt Anglisë (Video)

E publikuar: 12/09/2017 22:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Fiks Fare zbuloi një grup të gjerë trafikantësh që dërgonin klandestinë drejt Mbretërisë së Bashkuar.

Nëpërmjet kamerave të fshehta, gazetarët dokumentuan të gjithë rrugëtimin e shqiptarëve drejt “tokës së premtuar”. Sekserët kërkonin nga 9 deri në 11 mijë euro për dërgimin e një qytetari drejt Anglisë.

Gazetarët ranë në gjurmët e trafikantëve nëpërmjet rrjeteve sociale. Më pas, biseda në telefon dhe në fund takimet, të cilat u zhvilluan në qytetin e Vlorës.

Sekserët i treguan gazetarëve të “Fiks Fare” rrugëtimin, ku udhëtimi nga Shqipëria drejt Belgjikës bëhej me autobus. Kalimi drejt Britanisë së Madhe realizohej me autobusë, kamionë ose jahte. Sekserët treguan se kanë dhjetëra “prenotime”, nga të gjitha qytetet e Shqipërisë. Sipas tyre, meshkujt trafikohen më lehtë, ndërsa vajzat dhe fëmijët janë shumë të vështirë, çka përkthehet në shuma më të mëdha për t’u paguar.

Biseda në rrjetet sociale
Britania e Madhe është kthyer në “tokën e premtuar” të shumë të rinjve shqiptarë, të cilët gjejnë mënyra nga më të ndryshmet për t’u futur ilegalisht në Mbretëri. Shqiptarët shfrytëzojnë të gjitha rrugët për të shkuar në Angli, Uells apo Skoci. Fiks Fare zbulon një prej rrjeteve të trafikantëve që çojnë klandestinë shqiptarë, pa viza. Shuma që duhet të paguajnë shqiptarët varion nga 8 deri në 11 mijë euro.

Gazetarët e Fiks Fare ranë në gjurmët e trafikantëve në portalin “Jeta osh qef”, ku u postua historia e një djali nga Dibra që niset drejt Londrës, pa vizë dhe dokumente. Në komentet që i ishin bërë kësaj historie ra në sy komenti i një djali nga qyteti i Vlorës, që bënte pazar për dërgimin në Angli me 10 mijë euro.

Fiks Fare kontaktoi me këtë person, fillimisht nëpërmjet rrjetit social “Facebook”. Një gazetare e Fiksit i prezantohet si një vajzë që ka të dashurin në Angli dhe do të bashkohet me të. Ai i kthen përgjigje, ku i shkruan se duhen para. Pazarin e bën në bisedën në inboks në rrjetin social “Facebook”. Në bisedë, sekseri i thotë se vajtja në Angli bëhet me autobus dhe i lë një numër telefoni, duke i lënë takim në qytetin e Vlorës. Gazetarja e telefonon, por ai nuk flet gjatë dhe i kërkon që ta takojë nga afër./topchannel/