Ja sa persona u arrestuan për mosrespektim të orarit të lëvizjes

E publikuar: 25/06/2020 19:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sipas një hulumtimi nga data 24 mars e deri më 13 prill janë arrestuar 935 persona vetëm për mosrespektim të orarit të lëvizjes.

Besnik Boletini hulumtues në “Prepoteri” ka folur rreth arrestimeve gjatë pandemisë.

Sipas hulumtimit të realizuar Boletini ka thënë se nga data 24 mars e deri më 13 prill janë arrestuar 935 persona vetëm për mosrespektim të orarit të lëvizjes.

E kjo sipas tij ka qenë edhe për shkak të konfuzionit të krijuar nga deklaratat e ish-kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Hashim Thaçi.

Ai në Express Intervista të KTV-së ka thënë se koha maksimale që qytetarët janë mbajtur në stacionin policor janë 48 orë.

“Kryesisht janë të rritur, 2-3 raste janë të mitur. Ka pasur raste që qytetarët janë arrestuar dhe janë konfrontuar me policinë. Ka pasur paqartësi në procedimin e rasteve te prokuroria dhe policia dhe të gjitha rastet që kanë pasur të bëjnë me lëvizjen e lirë të janë proceduar si kundërvajtje, kurse të tjerat si mosrespektimi i karantinës janë proceduar si vepra penale”, ka thënë ai.

Sipas Boletinit, qytetarët të cilët janë arrestuar mund të kërkojnë dëmshpërblim, porse sipas tij, askush deri tash nuk ka kërkuar.

“Ka interpretime të ndryshme, por edhe Avokati i Popullit thotë se është shkelje e të drejtave të njeriut madje sugjerojnë që të kërkojnë edhe kompensim. Qytetarët kanë të drejtë që në formë materiale ta kërkojnë dëmshpërblimin. Askush deri tash nuk ka kërkuar kompensim por nëse bëjnë kërkesë Këshilli Gjyqësor e shqyrton. Tash për tash po e presim qartësimin e situatës”, ka thënë ai.

Sipas tij, komunat me më së shumti të arrestuar janë Prishtina, Malisheva dhe Podujeva.