BE-ja ndihmon Kosovën për fuqizimin e Shërbimit Korrektues

E publikuar: 11/10/2017 10:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Është lansuar projekti i Bashkimit Evropian “Further Strengthening the Correctional and Probation Services in Kosovo”, (Fuqizimi i mëtutjeshëm i Shërbimit Korrektues).

Ky projekt është lansuar sot nga shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri dhe shefi i diplomacisë së Finlandës, Timo Soini,.

Ministri Tahiri, ka thënë se ndjehet jashtëzakonisht mirë që ka filluar punën e tij me një projekt kaq të rëndësishëm, përderisa ka falënderuar BE-në për mbështetjen në projektin e binjakëzimit.

“Fuqizimi i sundimit të ligjit është objektivë themelore e sundimit të ligjit dhe si ministër do të sigurohem që do të kemi qeverisje ligjore. Në kompetencat ekzekutive është edhe menaxhimi korrektues.

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka thënë se ky projekt prej 2 milionë euro do të ngris sigurinë. Sipas saj, ky projekt do të shërbejë për të tejkaluar problemet që vendi ka. Ajo ka përmendur një investim prej 3 milionë eurove për Qendrën Korrektuese për të Mitur për të cilën ka thënë se do të sigurojë risocializimin e tyre në shoqëri.

Shefi i diplomacisë së Finlandës, Timo Soini, ka vlerësuar projektin ndërsa ka thënë se do të vazhdojnë të ndihmojnë Kosovën në rrugën e sundimit të ligjit. Ai ka thënë se Kosova dhe Finlanda kanë marrëdhënie të mira ku ka përmendur takimin me presidentin Thaçi gjatë ndeshjes së futbollit vitin e kaluar mes përfaqësueses së Kosovës dhe shtetit të tij.