Ja çfarë do të ndodhë me ata që kanë numra Z-Mobile

E publikuar: 30/07/2019 21:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka thënë se konsumatorët e Z-Mobile do të kalojnë gradualisht në Telekom.

Lluka ka thënë se Telekomi dhe Z-Mobile nuk kanë gjetur mirëkuptim dhe nga sot është shkëputur kontrata mes tyre.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik ka sqaruar edhe fatin e numrave që aktualisht operojnë me Z-Mobile.

“Tash është një fazë tranzicionale rreth 120 ditë ku klientët e Z-Mobile nuk do të mbesin pa shërbim dhe gradualisht do të transferohen në Telekomin e Kosovës”.

Lluka ka thënë se Telekomi në vazhdimësi ka operuar me humbje dhe interesimi për të investuar në të ka qenë shumë i vogël.

“Kjo çfarë ka ndodhur sot do t’i lejojë Telekomit që të rrisë të hyrat. Pra do të ketë rreth 300 mijë numra shtesë që mund t’i sjellin të hyra të mira dhe nëse menaxhmenti i Telekomit tregohet i vëmendshëm dhe nuk i rrisin shpenzimet, shumë shpejt kompania mund të shndërrohet në një kompani profitabile”, tha ai në RTV Dukagjini.

Ai ka thënë se Telekomi ka nevojë për investime, pasi që prej pesë vitesh në këtë kompani nuk është investuar.

Lluka ka dhënë se borxhi i vendosur nga Arbitrazhi duhet të paguhet për të treguar se Kosova është shtet dhe respekton ligjin.

Ai ka thënë se mos pagesa e borxhit do të ishte një mesazh negativ për investitorët e jashtëm.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik ka thënë se oferta që Telekomi i ka bërë Z-Mobile ka qenë interesante, pasi që është ofruar një pagesë mujore prej 300 mijë euro deri në pagesën e plotë të borxhit për një periudhë gjashtë vjeçare.

Ai thotë se Z Mobile nuk e ka pranuar këtë ofertë duke kërkuar që të bëhet pagesa e gjithë shumës së caktuar nga arbitrazhi për gjashtë muaj.