Isufi: Shkarkimi s’mjafton, duhet pasqyrë e qartë se si ndodhi rasti me gylenistët

E publikuar: 04/04/2018 15:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK’së, Ahmet Isufi tha se nuk mjafton shkarkimi i ministrit Flamur Sefaj dhe shefit të AKI’së Driton Gashit, për rastin e gjashtë gylenistëve. Tha se për këtë, duhet një pasqyrë e qartë e asaj çka ka ndodhë.
“Sepse kemi të bëjmë me një veprim antiligjor dhe anti kushtetues, përgjegjësia e zinxhirit komandues dhe llogaridhënia në nivelet institucionale po vërehet se ka munguar se, vartësit nuk i informojnë shefat e tyre të cilëve iu obligohen në bazë të ligjeve, me këto veprime i kanë dëmtuar interesat e marrëdhëniet e Kosovës me Turqinë dhe vendet tjera që kanë kontribuar që në Kosovë të ketë rend dhe ligj dhe Kosova të veprojë si shtet i pavarur”, ka thënë ai.

Isufi sqaroi se në Kuvend ende nuk kanë ndonjë informatë më të të plotë, të saktë me elementet që deputetët të mund të kenë një pasqyrë të plotë të veprimeve të javës së kaluar.

“Dihen veprimet e kryeministrit për shkak të përgjegjësisë ka shkarkuar dy nga krerët e institucioneve që janë ndërlidhur me rastin, por kjo nuk është e mjaftueshme kjo për të pasur një pasqyrë të vërtetë të asaj që ka ndodh.

Marrëdhëniet në mes Kosovës dhe Turqisë ashtu siç kanë qenë të mira në të kaluarën do të vazhdojnë të jenë edhe në të kaluarën që të bashkëpunojnë e ndihmojnë mes veti”, ka shtuar ai.