Ismaili: Brenda dy vjetësh, qytetarët e Kosovës do të bëhen me sigurime shëndetësore

E publikuar: 06/03/2018 14:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, thotë se është duke u angazhuar që sa më parë të funksionalizojë Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Sipas një komunikate të lëshuar nga MSH, ministri Ismaili ka thënë se qytetarët e Kosovës do të bëhen me sigurime shëndetësore brenda dy vjetësh.

“Brenda dy vitesh të këtij mandati, edhe qytetarët e Kosovës do të jenë të mbuluar nga sigurimet shëndetësore”, ka thënë Ismaili.

Siç thotë ai, sot zyrtarisht u ka dërguar kërkesë të gjithë akterëve të përcaktuar me ligj, për të propozuar emrat e tyre që do të jenë pjesë e bordit të këtij Fondi.
“Porsa të marr propozimet, më së largu më 12 mars, unë do t’i dërgoj emrat për miratim në Qeveri. Bordi i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, si organi më i lartë vendimmarrës, do të jetë përgjegjës për zbatimin e të gjitha akteve ligjore si dhe të mbikëqyrë veprimtarinë dhe ligjshmërinë e punëve të Fondit”, deklaron Ismaili.

Shefi i Shëndetësisë së Kosovës thotë se “është detyrë e imja si ministër që të mbroj qytetarët nga varfërimi për shkak të shpenzimeve në shërbime shëndetësore, andaj themelimi i këtij Bordi na ofron një hap më shumë drejt arritjes së këtij qëllimi”./Express/