Ish kryeministri i Serbisë: Kudo që Vuçiq, Daçiq, Millosheviq mbronin serbët, s’ka më serbë

E publikuar: 21/09/2021 15:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-kryeministri i Serbisë, Zoran Zhivkoviq ka ardhur me disa deklarata të forta në drejtim të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Por ish-kryeministri i Serbisë, nuk ka përmendur vetëm presidentin e tashëm, Vuçiq.

Ai për “gjendjen e serbëve” i ka fajësuar edhe disa figura të tjera politike të dikurshme e të tanishme në Serbi, përfshirë edhe kriminelin serb, Sllobodan Millosheviq, pastaj lideri i radikalëve Vojisllav Sheshelin, ish zëdhënësin e Millosheviqit, Ivica Daçiqin dhe Aleksandar Vulinin, ministër i tashëm në pushtet së bashku me Vuciqin.

Duke folur rreth zhvillimeve të fundit në Kosovë, përkatësisht “vendosjen e reciprocitetit për targat e automjeteve”, Zhivkoviq ka thënë se Vuçiq tani po përpiqet të luajë “shpëtimtarin e serbëve”.

“… Por ne jemi dëshmitarë se kudo që Vuçiq, (Ivica) Daçiq dhe (Aleksandar) Vulin, si dhe mentorët e tyre Milosheviq dhe Sheshel, mbronin serbët, nuk ka më serbë”, ka thënë ndër tjerash Zhivkoviq.

Ndërkohë Zhivkoviq, i cili është edhe ish-kryetar i Partisë së Re, i tha Danas se “çdo surprizë e autoriteteve në Beograd” në lidhje me aksionin e policisë së Kosovës në veri të Kosovës dhe konfiskimin e targave të “KS” në kalimet me Serbinë, “mund të nënkuptojë vetëm se pas pesë vjetësh, Vuçiq e kuptoi se kishte bërë një gabim kur nënshkroi dokumentin” dhe se ishte “vetëm faji i tij”.

Ai ka thënë se zëvendësimi i targave “KS” nga autoritetet e Kosovës ishte “pjesë e marrëveshjes” që (Aleksandër) Vuçiq nënshkroi me autoritetet e Kosovës, pesë vjet më parë.