Inspektori i akuzuar për keqpërdorim detyre thotë se xhamia nuk shihej nga vendi ku ishte biznesi i lojërave të fatit

E publikuar: 04/06/2021 18:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Fatmir Gashi, inspektor i tregut në Komunën e Prizrenit ka thënë se nga biznesi i lojërave të fatit “Game Plus” nuk ka qenë e mundur të shihej xhamia që kishte qenë afër.

Një deklaratë të tillë, Gashi e dha të premten në Gjykatën Themelore në Prizren, në gjykimin ku ai po akuzohet se kishte dhënë pëlqimin për ushtrimin e veprimtarisë së biznesit për lojërat e fatit “Game Plus”, për njësinë në Prizren e cila njësi është 300 metra afër xhamisë.

Por këto akuza po i mohon Gashi i cili tha se në rastin konkret nuk kishin bërë matje të distancës nga biznesi i lojërave të fatit tek xhamia, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai tha se kishte qenë në dijeni se xhamia ekziston aty, por tha se ajo nuk ka qenë në afërsi të drejtë dhe as që është parë nga vendi ku gjendej biznes i lojërave të fatit.

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokatit Skënder Morina, Gashi tha se ka dhënë edhe pëlqime tjera për lokalet e lojërave të fatit gjatë vitit 2014, duke bërë matje në mënyrën njëjtë sikurse rasti për çka po akuzohet.

Në seancën e së premtes, dëshminë e tij e dha edhe inspektori i tregut, Nikollë Domëgjoni i cili tha se është edhe koordinator i inspektoratit të tregut.

Ai tha se ka ekzistuar një memorandum në mes të Ministrisë së Financave dhe Kryetarit të Komunës së Prizrenit për bashkëpunim në identifikimin e objekteve fetare, edukative arsimore dhe pronës komunale nga ana e Komunës përmes gjeodetëve për të caktuar distancën e këtyre objekteve nga lokalet afariste të lojërave të fatit.

Këta gjeodetë, dëshmitari tha se ka qenë dashur t’i angazhojë Komuna sipas memorandumit, por në vitin 2014, ai tha se nuk ka ekzistuar memorandumi. I njëjti tha se praktika e inspektoratit ka qenë e njëjtë në çdo qytet të Kosovë ndërsa ndaj të akuzuarit Gashi, ai tha se s’ka pasur procedurë disiplinore.Në dëshminë e tij, Domëgjoni tha se matjen e distancës mes lokaleve të lojërave të fatit dhe objekteve të kultit e kishin bërë në mënyrë vizuale, me hapa ose me vetura ndonjëherë, jo përmes gjeodetëve.

Ai tha se s’kanë pasur udhëzim se si të veprojnë duke shtuar se të gjithë inspektorët kanë vepruar njëjtë dhe se asnjëherë nuk ka pasur ndonjë vërejtje për këtë nga ndonjë institucion.

Sa i përket licencës për ushtrimin e veprimtarisë për lojërat e fatit, dëshmitari tha se atë e jep Ministria e Financave. Ndërsa, pëlqimin për veprimtarinë e lojërave të fatit për kushtet e brendshme të lokalit afarist, kushtet minimale, teknike dhe higjienike e ka dhënë dhe vazhdon ta jep inspektori i tregut.

“Në kemi dhënë pëlqimin për kushtet si më lartë dhe jo për distancë, ndërsa aty ku kemi vërejt objektin shkollor, fetar apo pronë komunale nuk kemi dhënë pëlqim dhe pëlqimi i dërgohet palës me shkrim ku e njoftojmë se kërkesa a është pranuar apo refuzuar”, tha dëshmitari në fjalën e tij.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Ervehe Gashi, dëshmitari tha se për çdo veprim të matjes së distancës nga inspektori, hartohet procesverbali për gjetjet në terren dhe mënyrën e matjes dhe se këto procesverbale tha se ruhen në arkivin e Komunës.

Dëshmitari theksoi se me ligje të inspektoratit të tregut nuk parashihet si kusht distanca për dhënien e pëlqimit dhe se në bazë të memorandumit të Ministrisë së Financave dhe Kryetarit të Komunës së Prizrenit, është paraparë se inspektori i tregut është dashtë me dhënë pëlqimin por pa u ofruar kushtet për matje.

Seanca e radhës ku pritet të jepet fjala përfundimtare nga palët, u caktua për 14 qershor 2021, në ora 14:00.Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore Prizren të ngritur më 24 maj 2019, Fatmir Gashi akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.Fatmir Gashi akuzohet se me 29 gusht 2014 në cilësinë e personit zyrtar si inspektor komunal i tregut në kuadër të Drejtorisë së Inspektorateve në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar nuk i ka përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari me dashje shkel ligjin lidhur me detyrat e tij, në atë mënyrë që në kundërshtim me nenin 66 të Ligjit për Lojërat e Fatit, jep pëlqimin për ushtrimin e veprimtarisë së biznesit për lojërat e fatit “Game Plus”, për njësinë në Prizren, në rrugën “Jusuf Gërvalla”, e cila njësi është 300 metra afër xhamisë.Sipas aktakuzës, thuhet se në bazë të këtij pëlqimi, ky biznes është licencuar nga Divizioni për Lojërat e Fatit, me ç’rast biznesit në fjalë i sjellë dobi duke ia aprovuar kërkesën dhe duke e lejuar që ta ushtrojë veprimtarinë e tij, deri me 28 korrik 2017, kur Divizioni për Lojërat e Fatit i ATK-së e mbyll këtë veprimtari.