Informatat e para të Prokurorisë për vdekjen e gruas në Prishtinë

E publikuar: 04/01/2023 15:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një grua është gjetur e shtrirë dhe e lënduar në rrugën “Ferat Dragaj” në Prishtinë, nga ana e ekipit mjekësor është konstatuar vdekja e saj.

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj, tha se rasti i gruas ka të bëjë me vdekje në rrethana të dyshimta.

Ajo tha se prokurorja e Departamentit të Krimeve të Rënda ndodhet në vendin e ngjarjes dhe pas ekzaminimeve aty, trupi i pajetë i viktimës do të dërgohet në IML për obduksion.

“Ju njoftojmë se prokurorja kujdestare nga Departamenti i Krimeve të Rënda ndodhet në vendin e ngjarjes me njësitë e tjera relevante. Është gjetur një trup pa shenja jete (femër). Sipas infomatave fillestare nga vendi i ngjarjes rasti ka të bëjë me vdekje në rrethana të dyshimta, mirëpo Prokuroria në koordinim me të gjitha institucionet relevante janë duke i ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore per t’i ndriçuar të gjitha rrethanat e këtij rasti. Pas ekzaminimeve nga vendi i ngjarjes, trupi i pajetë do të dërgohet në IML për obduksion”, tha Ulaj për Express.

Zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, për rastin në fjalë tha se policia ka pranuar informatën rreth orës 13:00.

“Rreth orës 13:00, kemi pranuar informatën për një person të lënduar, ) të shtrirë në afërsi të një objekti në  rrugën “Ferat Dragaj” në Prishtinë. Policia dhe ekipi mjekësor menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e personit (femër). Aktualisht policia po ndërmerr të gjitha veprimet e duhura hetimore dhe ato forenzike – të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin dhe ndriçimin e plotë të rastit”, tha Ahmeti.