Incidenti në Graçanicë: Prangosen dy serbë, rrahën policët

E publikuar: 15/09/2023 21:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dy serbë u dërguan prapa grilave të enjten pasi dyshohet se sulmuan dy policë kosovarë, kur këta të fundit i dënuan për kundërvajtje në trafik.

Dy sulmuesit fillimisht u ndaluan për 48 orë.

“Dy të dyshuarit kanë penguar zyrtarët policorë dhe kanë kryer veprën e sulmit ndaj personit zyrtar, prokurori i rastit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e të dyshuarve”, ka thënë Laureta Ulaj, zëdhënëse në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, raporton Klan Kosova.

E krejt ndryshe këtë ngjarje e tregoi një serb graçanicas që pretendon se ishte dëshmitar okular.

“Ai i ka pyetur pse po më dënoni për të dytën herë brenda gjysmë ore, nuk e lejuan të dalin nga vetura, më pas ka ardhur vëllai i tij dhe pastaj ka nisur shtyrja, e kanë shtrirë në tokë, në asnjë sekondë ata nuk i kanë sulmuar policët, vetëm janë mbrojtur”, ka thënë ai.

Nga emergjenca e kryeqytetit i thanë Klanit se dy policët kanë marrë lëndime të lehta trupore dhe janë liruar menjëherë në shtëpi.

Ndërkohë, Qendra për Veprime Afirmative- Shoqërore, që vepron në komunën e Graçanicës, i ka kërkuar Avokatit të Popullit që të hetojë dy policët e Kosovës në lidhje me ndodhinë.