Inati i Vuçiqit: 500 herë kam thënë s’e njoh Kosovën (VIDEO)

E publikuar: 13/01/2023 20:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se takimi te enjten në Beograd me zyrtarin special të Departamentit të Shtetit Amerikan, Derek Chollet, ishte “shumë i rëndësishëm”.

Por sipas Vuçiqit, kur bëhet fjalë për raportet e shtetit të tij me Kosovën, palës amerikane ai ia tregoi ato që i quan “Vija të Kuqe”.

Pikësëpari bëhet fjalë rreth propozimit për ujdi Kosovë-Serbi, që tashmë quhet plan i BE-së, përderisa vetë Vuçiqi vazhdon ta quajë plan gjermano-francez.

“Nuk do të ketë ndonjë formë të njohjes së Kosovës qoftë formale apo jo formale, apo edhe pajtim që Kosova të anëtarësohet në OKB. Për këtë s’duam të flasim edhe pse këto janë pjesë përbërëse të planit franko-gjerman për marrëveshje. Për krejt çështjet tjera super mund të flasim, nuk po them që do i pranojmë, por mund të flasim e të shohim çka fiton Serbia e çka fiton dikush tjetër”, theksoi Vuçiq para gazetarëve të premten në Beograd.

Ndërsa për themelimin e Asociaconit, Vuçiq shtoi se është mirë që po kërkohet tashmë një gjë e tillë, por ky mekanizëm, sipas kryetarit të Serbisë, nuk mund të formohet sipas Kushtetutës së Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të enjten nga Vjena se Prishtina zyrtare është gati që të flet për Asociacionin, që sipas tij nuk guxon të jetë një-etnik dhe kjo në kuadër të propozimit evropian për ujdi.