Ilir Dugolli, ambasador i Kosovës në SHBA?

E publikuar: 29/11/2021 18:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Ilir Dugolli

Diplomati Ilir Dugolli pritet të jetë ambasador i ri i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tash që nga Washingtoni është larguar i ngarkuari me punë, vendi ka mbetur i zbrazët. Ilir Dugolli nuk është përgjigjur në pyetjet me shkrim të dërguara në adresë të tij, e as MPJ-ja. Gazeta Express ka mësuar se Dugolli është emri më i mundshëm për të shkuar në Washington, DC, si ambasador i Kosovës. Këtë e thotë edhe një nga anëtarët e Komisionit Parlamentar pë Punë të Jashme.

Valdet Sadiku, nga marsi i këtij viti ishte bërë shef i Ambasadës së Kosovës në Washington. Por më shumë se tetë muaj pasi institucionet e Kosovës e kishin ngarkuar Sadikun me punë në misionin kryesor diplomatik, ai u largua prej atje.

“Sot u them lamtumirë miqve këtu në SHBA, por do ta mbaj përgjithmonë me vete mbështetjen dhe respektin që kam pasur gjatë gjithë kohës. Çfarë nderi i jashtëzakonshëm që i kam shërbyer vendit tim në Washington DC. Përkushtimi i SHBA-së ndaj Kosovës është një bekim i vërtetë!”, ka shkruar ai të premten në Twitter.

Në SHBA, nuk dihet se kur do të shkojë shefi i ri i misionit diplomatik, por ai, sipas burimeve të Gazetës Express, ai do të jetë Ilir Dugolli, i cili deri në publikimin e këtij teksti nuk është përgjigjur në pyetjet për këtë çështje.

Komisioni për Punë të Jashtme nuk e bën shqyrtimin e emrave të propozuar pë ambasadorëve të karrierës, por vetëm ambasadorëve politikë. Megjithatë, anëtarja e Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme, Ariana Musliu-Shoshi, thotë se duhet të kishin pasur së paku informacione zyrtare edhe për këto emërime.

“Në Amerikë konkretisht e kanë propozuar një ambasador të karrierës. Sipas informatave jozyrtare, është Ilir Dugolli”, i ka thënë Expressit Shoshi.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla do të raportojë nesër në Komisionin parlamentar për Punë të Jashtme dhe Musliu-Shoshi tha se do ta pyes për ambasadorin e ri në Washington.

“Si anëtare e Komisionit, unë mendoj që edhe ambasadorët e karrierës është dashtë me ardhë në Komisionin për Punë të Jashtme, të paktën si informatë. Mirëpo si informatë zyrtare nuk e kemi. I kemi vetëm ambasadorët që janë politikë, e ata janë.. me ligj duhet me ardhë në Komision për Punë të Jashtme. Nesër e kemi në raportim ministren e Punëve të Jashtme dhe do t’ia bëj këtë pyetje”, tha Musliu-Shoshi.

Deputetja e PDK-së kishte për këtë edhe në Kuvendin e Kosovës, por kryediplomatja nuk kishte qenë e pranishme. Kryeministri Albin Kurti pati thënë se pyetjes mund t’i përgjigjej vetëm Gërvalla.

Për emrin e ambasadorit të ri në SHBA nuk ka informacione deputetja e AAK-së dhe anëtarja tjetër e Komisionit për Punë të Jashtme, Time Kadrijaj.

“Për besë nuk kemi informacion, se kjo është pak konfidencë, dhe vetëm ambasadorët politikë vijnë tek ne, për intervostime dhe me i kalu procedurat parlamentare. Ndërsa ambasadorët e karrierës nuk vijnë tek ne”, ka thënë ajo për Express.

Kush është Ilir Dugolli?

Ilir Dugolli aktualisht është ambasador i Kosovës në Turqi.

Ai ishte emëruar shef i misionit diplomatik në Ankara në vitin 2019. Emërimi i tij ishte bërë me propozim të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të atëhershëm të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacollit.

Më herët, Dugolli ka qenë ambasador në Belgjikë.

Ai po ashtu ishte akredituar si ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Kosovës në Estoni, atëherë me rezidencë në Belgjikë.

Dugolli ka studiuar në Universitetin britanik “Yale” dhe në “Central European University”.