Ibrahimovic e frymëzon Milanin për ta mposhtur Sassuolon me 10 futbollistë

E publikuar: 21/07/2020 23:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Milani e ka mundur 2:1 Sassuolon, e cila luajti me 10 futbollistë për pjesën më të madhe të ndeshjes, duke e vazhduar ecurinë mbresëlënëse pa humbje në përpjekje për t’u kualifikuar në Ligën e Evropës sezonin e ardhshëm.

Zlatan Ibrahimovic shkëlqeu duke i shënuar të dy golat e triumfit për kuqezinjtë të martën në Mapei Stadium, falë të cilës Milani ngrihet në pozitën e pestë në tabelën e Serie A, raporton Front Online.

Milani tani grumbullon 59 pikë në vendin e pestë, një më shumë se Roma dhe tri më shumë se Napoli, të cilat e ndjekin nga pas por ndeshjet e kësaj jave do t’i zhvillojnë nesër kundër Spalit dhe Parmës, përkatësisht.

Kjo është ndeshja e nëntë radhazi pa humbje, shtatë fitore dhe dy barazime, që prej rifillimit të sezonit në Serie A për Milanin.

Edhe Sassuoli ishte në një ecuri prej tetë ndeshjeve pa humbje, por u mposht sonte pasi luajti me një lojtar më pak që prej minutës së 45-të.

Pavarësisht humbjes, Sassuolo ngel në pozitën e tetë me 48 pikë. /Front Online/