I akuzuari për vrasjen e fqinjit thotë që e kishte parë tani të ndjerin duke e kapur për fyti djalin e tij

E publikuar: 19/07/2022 19:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Share:

Xhelal Ramadani, i akuzuar për vrasjen e fqinjit të tij Sh.L, ka thënë se e kishte parë tani të ndjerin, duke e kapur për fyti djalin e tij të madh, por duke mos dashur të bëjë problem më të madh, ishte bërë kinse nuk e kishte parë.

Një deklarim të tillë, Ramadani e bëri të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pasi që mbrojtësi i tij, avokati Nasuf Hasani kërkoi nga ai të tregojë ngjarjen për rastin konkret nga momenti kur konsiderohet që kishte filluar e deri te momenti kritik.
E pashë Sh.L që ia ka ngjitur për fyti djalit tim I.R, unë e pashë duke e larguar dorën, ai nuk më ka pa, duke mos dashur me bo problem ma të madh, e kam kthyer kokën nga kodra kishe nuk po e shoh Sh.L.” , deklaroi i akuzuari Ramadani.

Paraprakisht, i akuzuari tha që fillimisht kishte qenë te një mekanik, kur djali i tij I.R kishte ardhur dhe i kishte treguar që djali i vogël H.R, ia kishte marrë topin djalit të tani të ndjerit Sh.L, V.L dhe kishte kërkuar nga i njëjti që të shkonte në shtëpi.

Sipas të akuzuarit Ramadani, atë moment kur ishte duke shkuar në shtëpi, tani i ndjeri Sh.L e kishte pyetur vajzën e tij, nëse babai i saj apo xhaxhai ishin në shtëpi, ku e njëjta i kishte thënë që asnjëri nuk ishin aty.

Ai shtoi se në ato momente, ai ishte aty afër dhe sapo e kishte parë tani i ndjeri Sh.L i ishte afruar dhe i kishte thënë që t’i ndalonte fëmijët se përndryshe nuk do t’i tregonte më.

“Po ma bon Xhelal a po i ndalë fëmit e tu apo ma nuk vij me të kallxu edhe unë e pashë që është nervoz, agresiv shumë edhe i thashë a bon me ditë çka osht puna bre vlla, çka u ba, ai mu ka kthy edhe ma ka bo ja nali ja t’i kupi për toke (m’i goditë për toke) e nuk vij me të kallxu mo”, shtoi i akuzuari.

Ai tha se tani i ndjeri SH.L deshi ta godiste me shuplakë djalin e tij të madh I.R, por vëllai i të ndjerit dhe vajza e vëllait tjetër të Sh.L, e kishin larguar atë.

Sipas të akuzuarit, një fqinj tjetër, Imer Dibrani pasi që kishte dëgjuar zërin e tani të ndjerit Sh.L, kishte ardhë duke vrapuar që t’i ndajë dhe i kishte thënë të njëjtit mbylli dyert sepse është moment i keq dhe që i njëjti do të bisedonte me tani të ndjerin.

Më pas, i akuzuari Ramadani tha që rreth tre orë ishin mbyllur në shtëpi dhe më pas djali i tij I.R dhe vajza e vëllait tij B.R kishin shkuar në shitore dhe ishin takuar me tani të ndjerin, por i njëjti nuk i kishte ngacmuar.

“Sh.L mbet në shitore dhe fëmija e mi i murrën qato sene edhe u kthyen në shtëpi dhe nuk i ka ngucë, me mendjen tem mendova që ky ka qenë nervoz dhe ju ka hek nervoza”, tha i akuzuari.

Po ashtu, tha që e kishte pritur tani të ndjerin deri sa kishte dalë nga shitorja dhe kishte shikuar nëse i njëjti do t’i fliste.

“Erdh deri te dyert e sokakit të vet edhe unë thashë te kqyri a po m’folë, a s’po m’folë ja për të mirë a për të keq, a m’u marrë vesh, ai nuk erdh, ai hini mrena dyerve të sokakit të vet edhe unë qëndrova para dyerve të mija”, deklaroi i akuzuari Ramadani.

Në fund, i akuzuari deklaroi që po atë mbrëmje kishte dashur të shkonte në një park të cilin ishte duke e rregulluar komuna dhe se nuk ia merrte mendja të shkonte thatë.

“Hina mrena, e kah në 21:30, më shkoi menja me shku me një park që ishte duke e ndrequr komuna dhe mua nuk ma merrke menja me shku thatë”, shtoi i akuzuari.

“Nuk ta merrte mendja me shku pa armë a po thu?”, e pyeti kryetari i trupit gjykues, Kushtrim Shyti, ndërsa i akuzuari e pohoi një gjë të tillë.

Pas këtij deklarimi, avokati Hasani, kërkoi një pauzë pesë minuta që të konsultohet me të mbrojturin e tij.

Por, meqenëse ishte koha e pauzës, gjykatësi e ka përfunduar seancën, duke e caktuar atë të radhës më 9 gusht.

Paraprakisht, pasi që gjykatësi ka konstatuar mungesën e dëshmitares Sheribane Gashi, ai tha që e njëjta gjendet jashtë vendit, ku gjykata ka revokuar vendimin për dëgjimin e të njëjtës, pasi trupi gjykues vlerësoi se ajo nuk është e nevojshme të dëgjohet pas dëgjimit të dëshmitares Rifadije Danqe.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 11 tetor 2021 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, i akuzuari Xhelal Ramadani, në Gadime të Ulët, Komuna e Lipjanit, më 16 korrik 2021, për shkak të mosmarrëveshjes që kishte pasur një javë më parë rreth fëmijëve dhe përleshjes fizike në ditën kritike, me dashje që ta privojë nga jeta dhe për shkak të hakmarrjes, kishte shkuar në shtëpinë e tij dhe e kishte marrë armën e tipit “Ecol Special 99” dhe kishte shtënë dy herë në drejtim të tani të ndjerin Sh.L, duke e goditur në kokë, ku si pasojë e plagëve të marra, i njëjti kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

Me këto veprime, Ramadani po akuzohet se ka kryer veprat penale “Vrasje e rëndë”, dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve”. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.