Humbësi më i madh i vitit – Ramush Haradinaj (Video)

E publikuar: 31/12/2019 03:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dukej ditë e zakonshme ajo e 19 korrikut, kur Ramush Haradinaj dhe qeveria që udhëhiqte miratoi një sërë vendimesh në mbledhjen e ekzekutivit. Por, kur erdhi pika e rendit të ditës “për të tjera”, kryetari i AAK-së shokoi ministrat e kabinetit të tij dhe Kosovën, kur tha se jep dorëheqje të parevokueshme nga posti i kryeministrit.

Aty, ai pohoi se kishte marrë ftesë nga Gjykata Speciale me seli në Hagë për pretendimet për krime lufte. Pohoi se nuk mund të shkonte atje si kryeministër i Kosovës, por si qytetar i thjeshtë. Dorëheqja dhe provokim i pashmangshëm i zgjedhjeve të reja zuri në befasi përveç partnerëve të koalicionit edhe opozitën, raporton KTV.

Në Hagë, pas ca ditësh Haradinaj u mbrojt duke mos e thënë asnjë fjalë, e kur u kthye provoi të harrojë që ka dhënë dorëheqje duke thirrur mbledhje të zakonshme të qeverisë.

Raportimi i KTV-së dhe kundërshtimi i opozitës e vetë PDK-së, bëri që Haradinaj t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese për të pyetur nëse mund të mbetej kryeministër ani pse kishte dhënë dorëheqje.

Zgjedhjet u caktuan për 6 tetor, e Haradinaj i hyri fuqishëm fushatës duke u thënë kosovarëve se vendit të tyre i erdhi era shtet pse ky vuri taksën 100 % ndaj Serbisë dhe ia pamundësoi planet Thaçit, Vuçiqit e Ramës për copëtimin e Kosovës. Dhe, në fushatë ia krisi këngës e vuri plis, e mori me vete Shpend Ahmetin e Dardan Molliqajn me idenë që ky koalicion do t’i afrohej fitimit të zgjedhjeve. Por, kosovarët nuk i besuan.

Pasi PDK-ja ia mundësoi vendin e parë e kryeministrin, sikur Arsenali Haradinaj u përplas në vendin e zakonshëm zgjedhor atë të 4-in. Deputetë i fitoi 13-të, dhe të gjithë të partisë së tij e të Rrafshit të Dukagjinit.

Edhe në vitin e dytë të qeverisjes, Haradinaj ka abuzuar me paranë publike duke e shpërndarë atë nëpër shoqata e aktivitete të ndryshme. E ka kundërshtuar fuqishëm e publikisht Thaçin për korrigjimin e kufijve, nuk i kanë bërë përshtypje këshillat e Macronit e Merkelit, e Edi Ramën edhe e ka sharë – me dialekt Kosove.

Ajo që nuk ka ndryshuar është rroga e tij që, me mos-hyrjen në fuqi të Ligjit të ri të Pagave, edhe në këtë funddhjetor do ta marrë 2950 euro. Me vetiniciativën për të lënë postin më të rëndësishëm në shtet, Ramush Haradinaj është humbësi më i madh i vitit.