Hoxhaj: Merkel u bë bazamenti i politikës perëndimore karshi Serbisë

E publikuar: 15/09/2021 10:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka folur rreth vizitës së kancelares Angela Merkel në Tiranë.

Hoxhaj fillimisht tha se Angela Merkel me vizitën e saj në Shqipëri i dha kryeqytetit shqiptar një peshë të veçantë në Ballkan.

Me tutje Enver Hoxhaj ka vlerësuar kontributin e Agela Merkel në pavarësimin e Kosovës dhe në njohjet nga shtete me gjeografi botërore.

Madje ai ka kujtuar edhe vizitën që bëri Merkel në Beograd në vitin 2011, ku e kishte kushtëzuar anëtarësimin e Serbisë në BE me arritjen e marrëveshjes obligative ligjore me Kosovën, qe edhe sot ne vitin 2021 nuk është arritur.

“Mund të pyesim: a kam pritur dhe besuar në vitin 2011, se Kosova dhe Serbia deri në vitin 2021, pësmes një marrvëshje të tillë, do ta njohin njëra-tjetrën? Po! Dhe sot shumëkush bart përgjegjësi që nuk ka ndodhur një gjë e tillë”,ka shkruar Hoxhaj.

Postimi i plotë i deputetit Hoxhaj:

Dje Angela Merkel vizitoi Shqipërinë, duke mbledhur në Tiranë të gjithë liderët e rajonit. Me këtë, s’ka dyshim, i dha kryeqytetit shqiptar një peshë të veçantë në Ballkan! Megjithatë, as për të nuk mungojnë vlerësimet, nga më të ndryshmet, për rolin e saj në raport me Kosovën, shqiptarët dhe Ballkanin.
Nuk dua të ndalem në detaje për rolin e Angela Merkelit në pavarësimin e Kosovës (Bashkim Evropian, G7, Këshillin e Sigurimit të OKB-së), as në njohjet nga shtete me gjeografi botërore, as në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, as në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe marrëveshjen e prillit të 2013-ës. Për shkak të detyrës që kisha në këtë periudhë, e di se ku dhe sa e ka ndihmuar ajo personalisht dhe qeveria e saj, Kosovën!
Por dua të ndalem e të potencoj një fakt. Atë që sot e quajmë marrëveshje obligative ligjore! Kur në gusht të vitit 2011, Merkel e vizitoi Beogradin, e kushtëzoi anëtarësimin e Serbisë në BE me arritjen e marrëveshjes obligative ligjore me Kosovën! Më tutje, qëndrimi i saj në 2011 bëri që deri në vitin 2013 (shtatë pikat e Bundestagut, non-paper gjermano-britanik) kushti gjerman të shndërrohet në qëndrim e kusht evropian për Serbinë. U bë bazamenti i politikës perëndimore karshi Serbisë. Deri sot!
Mund të pyesim: a kam pritur dhe besuar në vitin 2011, se Kosova dhe Serbia deri në vitin 2021, pësmes një marrvëshje të tillë, do ta njohin njëra-tjetrën? Po! Dhe sot shumëkush bart përgjegjësi që nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Sepse është mirë i njohur fakti se një dekadë politike përcaktohet nga njeriu, ndërsa një shekull përcaktohet nga ngjarjet!
Kur dikush si Angela Merkel qëndron në politikë pothuajse dy dekada, atëherë rrjedha e politikës përcaktohet sa nga individi, aq edhe nga ngjarjet.