Hoxhaj: Kosova po rrezikohet nga zhbërja e shtetit

E publikuar: 31/12/2020 15:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për Kryeministër, njëherësh kryetari në detyrë, Enver Hoxhaj në takimin e Këshillit Drejtues dhe strukturat e partisë ka thënë se Kosova po goditet nga brenda dhe nga jashtë. Madje ai thotë edhe se Kosova po rrezikohet nga zhbërja e shtetit.

“Duhet të jemi të vetëdijshëm e syçelë, sepse Kosova po rrezikohet nga brenda dhe jashtë. Ajo që është ma e dhimbshme dhe absurde, po rrezikohet edhe zhbërja e shtetit, sidomos pas goditjes si të tillë të dy akterëve kryesorë të shtetësisë, z. Hashim Thaçi dhe z. Kadri Veseli.”, ka thënë Hoxhaj.

Sipas tij Partia Demokratike e Kosovës është e vetmja që do ta ndalë zhbërjen e shtetit.

“Në këtë gjendje të krijuar, vetëm PDK është garancë e fortë që do të ndalë zhbërjen. Dhe PDK do ta bëjë këtë.”, ka thënë ai.

Sekretari i përgjithshëm i PDK-së, Uran Ismaili ka theksuar se viti 2020 ka qenë një ndër vitet më të vështira për vendin jo vetëm për shkak të goditjes nga pandemia, por edhe për shkak të mungesës së liderëve të UÇK-së dhe PDK-së.

“Ky Këshill Drejtues është më i pazakonshmi që e kemi mbajtur ndonjë here. Është hera e parë që Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës mbledhet pa kryetarët, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin. Do të ishte jo e sinqertë të them se po qëndroj para jush dhe se nuk jam i vërshuar nga emocionet: krenari, mall e shumë zemërim dhe jam i vetëdijshëm se kjo është gjendja e secilit prej nesh.”, ka thënë ai.

Ismaili duke thënë se kjo gjendje e ka prekur PDK-në në nivelin personal, kombëtar dhe atë shtetëror ka kërkuar mbështetje për kandidatin e PDK-së për Kryeministër, Enver Hoxhaj.

“Kosova është në gjendje të rënd politike e ekonomike. Historia Kombëtare dhe historia e PDK-së ështe duke u testuar. Për PDK-në kjo është ora fundametale e organizimit. Kjo është ora e unitetit. Zgjedhjet janë testi ynë personal, testi i historisë sonë dhe testi i shtetit tonë.”, ka përfunduar Ismaili.