Hoti të martën prezanton në Kuvend platformën e dialogut

E publikuar: 18/06/2020 13:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, sot është takuar me liderët e partive politike në kuadër të Forumit të Liderëve për prezantimin e platformës së dialogut.

Pas këtij takimi, Hoti u bëri thirrje edhe njëherë partive opozitare, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës, të cilat e bojkotuan këtë forum, që të takohen dhe të diskutojnë për këtë platformë të qeverisë.

“Sapo e kemi kryer takimin e parë të Forumit të Liderëve, në bazë të platformës që e kemi propozuar publikisht si qeveri. I falënderoj liderët që sot ishin në takim, të gjithë i dhanë mbështetje qasjes që e kemi si qeveri, parimeve që i kemi vendosur, transparencën që do të sigurojmë gjatë gjithë kohës me këtë proces. Ekipin do ta funksionalizojmë së shpejti. Ne jemi gati që të ulemi në dialog, me një qëllim të vetëm, marrëveshje që nënkupton njohje. Kemi marrë vendime të rëndësishme gjatë këtyre dy javëve për të vendosë pozicionin e shtetit në një pozitë më të favorshme, shkojmë besimplotë në këtë proces që tani dihet që do të ndodhin. Kemi pas për dy javë takime intensive. Së shpejti për platformën do të raportoj edhe në Kuvend, besoj që të martën e ardhshme do të prezantoj platformën, do të kërkoj formimin e komisionit për dialog që të mbikëqyrin procesin. Unë ftoj partitë opozitare që të marrin rolin e tyre mbikëqyrës. Unë kam dërguar ftesa dje te të gjithë, do të ju qasem edhe në ditët e ardhshme, ku do që ta shohin të nevojshme që të takohemi për t’i njoftuar për qasjen që ka qeveria. Ju siguroj që në këtë transparencë të plotë ne do t’i dalim ballë”, ka thënë Hoti, derisa ka shtuar se do të vazhdojë konsultimet me partitë politike.

Hoti bëri të ditur se në takimin e sotëm të liderëve të partive politike, përveç LVV-së e PDK-së, munguan edhe përfaqësuesit e Listës Serbe. Anipse, Hoti thotë se takime individuale ka pasur me të gjitha partitë.

Kurse, sa i përket takimit e mëngjesit me të dërguarin e Bashkim Evropian për dialog, Miroslav Lajçak, Hoti thotë se me të ka definuar disa çështje.

“Kam pasur një mëngjes një takim pune me Lajçak ku kemi definuar disa çështje. Sot pasdite unë do të takoj të gjithë ambasadorët e BE-së për të diskutuar për platformën. Agjenda e Uashingtonit besoj që do të bëhet e qartë para se të shkojmë atje. Në proces të dialogut Kosova përfaqësohet nga kryeministri dhe nga delegacioni që unë e shoh të rëndësishme. Në emër të Kosovës flas unë, kompetencat kushtetuese janë të qartë”, tha kryeministri./GS/