Hoti: S’do ta pranoj propozimn e Osmanit për shefin e ri të AKI-së

E publikuar: 21/01/2021 22:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, nuk do ta pranojë propozimin e ushtrueses së detyrës së presidentes Vjosa Osmani për drejtorin e ri të AKI-së.

Ai, në Rubikon të Klan Kosovës, ka thënë se emri që Osmani e ka propozuar nuk e ka përvojën e nevojshme për të marrë një përgjegjësi të tillë.

“Nuk jemi dakorduar. Nuk ka dakordim për personin që duhet të emërohet në pozitën e drejtorit të AKI-së. Ligji kërkon që brenda 20 ditësh nga momenti që lirohet pozita të emërohet”,njofton Klan Kosova.

“Nuk do të arrijmë që ta zgjedhim drejtorin në këtë mandat qeverisës. AKI-ja vazhdon punën e vet, është zëvendësdrejtoresha e cila po e kryen punën e saj plotësisht”.

“Nuk do ta pranoj propozimin e Vjosa Osmanit. Nuk mund të pranoj njerëz, nuk po them anonimë, pa përvojën dhe maturitetin e nevojshëm për të marrë përgjegjësi të tilla, sepse është tepër e rëndësishme dhe e ndjeshme kjo pozitë. Unë vlerësoj që ai propozim nuk e ka dakordimin tim”.