Hoti: Britania e Madhe si vatër e demokracisë do ta tejkalojë edhe këtë sfidë

E publikuar: 23/05/2017 09:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Avdullah Hoti, kandidati për kryeministër nga koalicioni LDK-AKR- Alternativa, ka shprehur ngushëllimet e tij për viktimat në Mançester, pas sulmit të mbrëmshëm në koncertin e Ariana Grande.

Ai në një postim në rrjetin social Facebook ka shkruar se Britania e Madhe si vatër e demokracisë do ta tejkalojë edhe këtë sfidë.

Më poshtë është shkimi i plotë.

Shpreh keqardhje dhe solidarizohem me popullin britanik pas sulmit të mbrëmshëm në një sallë koncertesh në Mançester, ku humbën jetën dhe u plagosën dhjetëra njerëz.

Kam besimin e plotë se Britania e Madhe si vatër e demokracisë do ta tejkalojë edhe këtë sfidë.

Sulmi ndaj njerëzve të pafajshëm është sulm ndaj civilizimit dhe lirive themelore të mbarë njerëzimit.

Ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave, popullit dhe Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe Ambasadorit britanik në Prishtinë, shkëlqesisë së tij Ruary O’Connell.