Hill: Momenti kyç për zbatimin e marrëveshjeve Kosovë-Serbi

E publikuar: 10/04/2023 17:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, tha se ka ardhur momenti kyç kur duhet të presim që diçka të ndodhë sa i përket zbatimit të marrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat sipas tij nuk janë arritur lehtë.

“Sa i përket marrëveshjes së Ohrit dhe marrëveshjeve të tjera, për asnjë moment nuk kam thënë se është diçka e lehtë dhe se do të jetë e lehtë, por mendoj se kemi arritur në një moment kyç në kuptimin që duhet të presim që diçka të ndodhë në aspektin e zbatimit”, tha Hill, raporton “Tanjug”, transmeton Klankosova.tv.

Ai shtoi se momenti është i vështirë, por se momentin e konsideron plot shpresë, si dhe se pret zbatim në të ardhmen.

Hill shtoi se çështja e Kosovës duhet parë si një çështje rajonale në kontekstin e Ballkanit të Hapur dhe sipas tij, me iniciativën e Ballkanit Perëndimor vendet bashkëpunojnë dhe punojnë së bashku.

“Është pjesë e procesit që do ta çojë Serbinë drejt një bashkëpunimi më të madh dhe përfundimisht në anëtarësimin e saj në BE”, deklaroi Hill dhe shtoi se SHBA-ja mbështet fuqishëm procesin e bashkëpunimit në kuadër të Ballkanit të Hapur dhe afrimit me BE-në.