Heshtje për kthimin e kosovarëve nga Siria

E publikuar: 28/06/2021 17:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rreth 100 kosovarë vazhdojnë të mbesin në territorin e Sirisë dhe Irakut. Sipas të dhënave të fundit të Policisë së Kosovës, më së shumti atje ka fëmijë.

Në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, Policia e Kosovës tha se sipas të dhënave të fundit që posedojnë, në zonën e konfliktit edhe më tej vazhdojnë të jenë gjithsej 96 kosovarë, prej të cilëve 43 burra, nëntë gra dhe 44 fëmijë, (përfshirë këtu edhe 32 fëmijë të lindur në zonën e konfliktit nga së paku njëri prind kosovar). Ndërkaq, organizata Iniciativa Atlantike nga Sarajeva thotë se në zonat e konfliktit vazhdojnë të jenë 97 persona nga Kosova, ndërkaq 400 në total nga Ballkani Perëndimor,transmeton Telegrafi.

Në muajin prill të vitit 2019, institucionet e Kosovës, të ndihmuar nga autoritetet amerikane, riatdhesuan një grup prej 110 kosovarësh, duke përfshirë katër luftëtarë të huaj, 32 gra dhe 74 fëmijë.

Por, për grupin e mbetur në Siri, institucionet e Kosovës ende nuk kanë dhënë ndonjë informacion nëse po punohet për riatdhesimin e tyre.

Duke folur në takimin e Koalicionit Global kundër grupit militant, Shteti Islamik, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, tha se Kosova ka qenë e përkushtuar për riintegrimin e të të kthyerve nga Siria.

“Jemi duke u përkujdesur posaçërisht për gratë dhe fëmijët e tyre. Ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i kthyer ata në një jetë normale, të shpresojmë, edhe një të ardhme të lumtur për ta”, deklaroi ministrja Gërvalla.

Gërvalla tha se procesi i riintegrimit të të kthyerve ka qenë i suksesshëm dhe se janë krijuar programe për deradikalizim.

“Ne jo vetëm që kemi arritur t’i kthejmë fëmijët në shkolla, por ofrojmë gjithashtu mbështetje edhe psikologjike për ta dhe për nënat e tyre. Për më tepër kemi krijuar programe për deradikalizim, në të cilat përfshihen madje edhe personat që ndodhen në arrest”, ka thënë ajo.

Në këtë takim të Koalicionit Global kundër IS-it që u mbajt Romë të Italisë, ministrja Gërvalla nuk foli për 96 kosovarët që vazhdojnë të jenë në Siri.

Që nga koha kur kosovarët filluan t’i bashkohen luftës në Siri dhe Irak në vitin 2013, Policia e Kosovës tha se ka arrestuar rreth 20 persona për vepra të penale të lidhura me terrorizimin.

Që nga fillimi i luftës në Siri në mars të vitit 2011, rreth 400 kosovarë udhëtuan drejt Sirisë dhe Irakut.