Heshti në fushatë, IKSHPK-ja i rikthen apelet

E publikuar: 03/03/2021 21:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjatë të mërkurës, janë shënuar 568 raste të reja me COVID-19, shifër kjo rekorde përgjatë këtij viti.

Përveç raportimeve ditore të zakonshme të situatës epidemiologjike që i bën Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, tri ditëve të fundit në komunikatat ditore, IKSHPK-ja ka shtuar një varg rekomandimesh e lutjesh karshi qytetarëve.

Derisa nga ky institucion shëndetësor që ka për qëllim ruajtjen e shëndetit publik ka rikujtuar që grumbullimet janë burime të infeksionit dhe përhapjes së saj.

Megjithatë IKSHPK-ja, këto rekomandime e apele siç duket i kishte harruar gjatë kohës së fushatës zgjedhore madje edhe në atë parazgjedhore.

Në komunikatat ditore të muajit shkurt, specifikisht gjatë 10 ditëshit të fushatës zgjedhore, nuk kishte asnjë apel te vetëm për subjektet politike që grumbulloheshin me qytetarët, teksa në 31 ditët e janarit, mund t’i gjesh vetëm katër komunikata që përfshijnë tone apelesh e rekomandimesh.