Hekurudha e shpejtësisë se lartë Xhakartë – Bandung,i jep më shumë hapsirë bashkëpunimit kino-indonezian

E publikuar: 27/07/2022 14:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Share:

Në fillim të korrikut filloi puna për shtrirjen e shinave në linjën kryesore të hekurudhës me shpejtësi të lartë Xhakartë-Bandung në Indonezi, gjë që shënon hedhjen e një hapi të vendosur të këtij projekti simbol të nismës “Një brez, një rrugë” dhe të bashkëpunimit pragmatik ndërmjet Kinës dhe Indonezisë.

Hekurudha, me një shpejtësi të projektuar prej 350 km për orë dhe që po ndërtohet me teknologji kineze, do ta përgjysmojë kohën e udhëtimit midis Xhakartës, kryeqytetit të Indonezisë, dhe Bandung-ut, qytetit të katërt më të madh të vendit, nga mbi tre orë në afro 40 minuta.


Gjatë takimit të martën me presidentin e Indonezisë Joko Widodo në Pekin, presidenti i Kinës Xi Jinping shprehu shpresën se projektet kryesore të bashkëpunimit dypalësh, përfshirë hekurudhën e shpejtësisë së lartë Xhakartë-Bandung, do të zhvillohen normalisht. Ndërkohë, Widodo e quajti këtë hekurudhë një tjetër gur kilometrik të miqësisë dypalëshe.
“Kina dhe Indonezia janë në faza të ngjashme zhvillimi, kanë interesa të ndërthurur, ndjekin filozofi e rrugë të ngjashme zhvillimi dhe kanë një të ardhme të lidhur ngushtë,” theksoi Xi, duke shtuar se ndërtimi i një bashkësie me fate të përbashkëta ndërmjet Kinës e Indonezisë është aspirata dhe shpresa e përbashkët e të dy popujve.
Sipas tij, marrëdhëniet e mira kino-indoneziane janë jo vetëm në dobi të interesave të përbashkët afatgjatë të të dy vendeve, por edhe kanë ndikim të gjerë dhe pozitiv për rajonin dhe mbarë botën.
Widodo është i pari kryetar shteti i huaj që viziton Kinën pas Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit dhe Kina është ndalesa e parë e turneut të tij të parë në Azinë Lindore qysh prej shpërthimit të pandemisë.

Presidenti Xi përmendi gjatë takimit se marrëdhëniet dypalëshe kanë treguar qëndrueshmëri dhe gjallëri të madhe vitet e fundit. Kina vazhdoi të ishte partnerja më e madhe tregtare e Indonezisë në vitin 2021. Sipas të dhënave statistikore të doganave të Kinës, vëllimi i tregtisë ndërmjet dy vendeve vitin e kaluar pati një vlerë prej 124.3 miliardë dollarësh amerikanë, me një rritje 58.4 për qind në krahasim me vitin 2020.
Projektet kryesore të bashkëpunimit, përfshirë hekurudhën e shpejtësisë së lartë Xhakartë-Bandung, programin e parqeve binjake të të dy vendeve dhe Korridorët e Përgjithshëm Ekonomikë Rajonalë, pasqyrojnë ndërlidhshmërinë e nivelit të lartë ndërmjet nismës “Një brez, një rrugë” dhe strategjisë kombëtare të Indonezisë. Këto projekte bashkëpunimi do të sjellin përfitime të përbashkëta për mëkëmbjen ekonomike të vendit dhe të rajonit.
Bashkëpunimi lidhur me vaksinat është bërë një pikë e re e spikatur në marrëdhëniet dypalëshe.
Duke vënë në dukje se Kina e Indonezia janë shembull i vendeve të mëdha në zhvillim që kërkojnë të forcohen nëpërmjet solidaritetit dhe bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta, Xi i tha Widodo-s se pala kineze dëshiron të krijojë më shumë pika të reja rritjeje me Indonezinë, si në ekonominë digjitale dhe zhvillimin e gjelbër.
Azia kontribuon për qeverisjen globale
Duke filluar nga qershori, disa forume e konferenca ekonomike rajonale e globale të nivelit të lartë janë zhvilluar ose do të zhvillohen në vendet aziatike, përfshirë Kinën e Indonezinë, që do të kontribuojnë për forcimin e rolit të Azisë në qeverisjen globale.
Presidenti i Kinës Xi Jinping u bëri thirrje të martën të dy vendeve të kenë solidaritet të përbashkët, të përmbushin përgjegjësitë e tyre si vende të mëdha në zhvillim, të ndjekin multilateralizmin e vërtetë, t’i përmbahen rajonalizmit të hapur dhe të kontribuojnë për zhvillimin e qeverisjes globale me mençurinë orientale.
Në qershor Kina organizoi Samitin e BRICS-it, ndërsa në nëntor Indonezia pritet të zhvillojë Samitin e G20-s. Ndërkohë, Kamboxhia do të drejtojë Samitin e ASEAN-it dhe Tajlanda do të jetë mikpritëse e Samitit të Drejtuesve Ekonomikë të APEK-ut.
Përballë një situate të turbullt ndërkombëtare, bashkësia ndërkombëtare shpreson që Azia, ekonomia më e madhe kontinentale me afro 40 për qind të PBB-së së botës, të luajë një rol drejtues në nxitjen e paqes, stabilitetit dhe zhvillimit në rajon dhe në mbarë botën.