Haziri thotë se PDK’ja iu frikësua një marrëveshjeje të LDK’së me Vetëvendosjen

E publikuar: 22/05/2017 21:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, është i bindur se Partia Demokratike e Kosovës ka lidhur koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe me Nismën për Kosovën, e frikësuar se LDK ka marrëveshje të fshehtë me Vetëvendosjen, e cila ka zgjedhur që në zgjedhjet 11 qershorit të garojë e vetme. Haziri: PDK
Haziri ka thënë për RTV Dukagjini se me Vetëvendosjen vetëm kanë komunikuar dhe asgjë më shumë.

“PDK në vitin 2014 është dorëzuar karshi LDK-së. Ndërsa natën, para një jave në zhvillimet e fundit, është dorëzuar karshi AAK-së dhe Nismës, nga frika që LDK dhe Vetëvendosje po bëjnë koalicion dhe jo LDK e AKR”, ka thënë Haziri.

Sipas tij, kryetari i PDK’së, Kadri Veseli, është dorëzuar shumë herët, duke hequr dorë nga posti i Kryeministrit.

“Nuk është befasi për mua, sepse PDK ka hequr dorë nga qeverisja, kësaj here me z. Veseli, i cili u dorëzua para se të futet në garë. Ata janë një kohë të gjate në vijën e dytë dhe besoj se do të mbesin në vijën e dytë”, ka thënë ai.

Haziri ka shtuar se “Koalicioni PDK-AAK-Nisma është dashur t’i ftojë edhe minoritetet në listën zgjedhore, meqë kishin edhe përkrahjen e tyre për rrëzimin e Qeverisë me mocion”.