Haziri për Gjykatën Speciale: LDK është përmendur në disa raste, më shumë në komunikata

E publikuar: 10/04/2023 18:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nesër, më 11 prill në Hagë nis dëgjimi i dëshmitarëve në procesin gjyqësore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Lidhur me këtë ka folur nënkryetari i parë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri. Haziri tha se beson në zbardhjen e drejtësisë nga ana e Dhomave të Specializuara.

Ai theksoi se uron që të konfirmohet edhe pastërtia e luftës.

“LDK është përmendur në disa raste, më shumë në komunikata, por jo në raste tjera të veçanta. Derisa nuk kemi zbardhje të fakteve në rastet e veçanta për emrat e veçantë. Ne nuk kemi parë emra dhe eksponentë të LDK-së që do të jenë subjekt i zbardhjes së drejtësisë. Besojmë shumë që drejtësia e vendosur përmes Dhomave të Specializuara do të jetë e barabartë për të gjithë dhe uroj që pastërtia e luftës dhe pastërtia e kryengritjes dhe rezistencës politike dhe ushtarake të konfirmohet jo në dëm të askujt, duke përfshirë jo vetëm pakicat etnike, por edhe individët. Në këtë rrafsh, e vërteta e madhe është që drejtësi duhet të vendoset për të gjithë dhe kompensimi me drejtësi për viktimat dhe rastet që Dhomat e Specializuara i kanë në hetime, duhet të vendoset po ashtu”, tha Haziri.

“Kjo zhurmë politke dhe ky debat që është duke u zhvilluar në Prishtinë ka të bëjë me pakënaqësitë në rastin e fillimit të gjykimit kundër ish-presidentit, ish-kryekuvendarëve dhe ish-deputetit të VV-së”, theksoi ai.

Numri dy LDK-së shtoi se Kosova për herë të tretë po përballet me drejtësinë.

“Për herë të tretë Kosova po përballet me të kaluarën e saj për të vendosur drejtësi. Në rastin e parë administrata e OKB-së përmes UNMIK-ut dhe Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi, në rastin e dytë misioni evropian in EULEX i cili ka provuar dhe ka marrë masa për të vendosur drejtësi në Kosovë dhe tani Dhomat e Specializuara që përfaqësojnë institucionet e Kosovës, legjislacionin e Kosovës dhe kjo duhet të barazohet me verdiktin e popullit të Kosovës. Praktikisht, Prokuroria e paraqet qëndrimin e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Gjykata jep vullnet në emër të popullit të Kosovës. Kjo është e vërteta e madhe”, tha numri dy i LDK-së.