Haziri për Ballkani.info: Formula për unitet dhe rritje të LDK-së është marrëveshja e madhe për liderin e partisë

E publikuar: 31/07/2019 17:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kur kanë mbetur edhe tri ditë deri te Kuvendi Qendror Zgjedhor i LDK-së, emrat për të parin e partisë në mandatin e ri ende mbesin të paqartë.

Tashmë në publik kanë dalë disa emra të pretendentëve për ta drejtuar LDK-në, por asnjëri prej tyre nuk është zyrtarizuar, marrë parasysh se statuti i partisë kërkon që kandidatura fillimisht të votohet nga 50+1 për qind e delegratëve, të cilët janë afërisht 350.

Njëri nga pretendentët kryesor për t’u zgjedhur kryetar i ri i LDK-së është Lutfi Haziri, aktualisht nënkryetar i partisë dhe kryetar i Gjilanit për disa mandante.

Haziri në vazhdimësi ka kërkuar marrëveshje, pajtim, brenda krerëve të partisë, që në Kuvend të dalin me një emër të përbashkët.

Në një deklaratë për Ballkani.info, Haziri thotë se ndërtimi i unitetit dhe rritja e LDK-së kërkon marrëveshje për liderin e partisë.

“Formula për ndërtimin e unitetit dhe rritjen e LDK është marrëveshja e madhe politike për liderin e partisë. Unë nuk besoj që ka tjetër rrugë politike në këtë fazë”, ka thënë Haziri për Ballkani.info.

Në ndërkohë, LDK-ja ende nuk e ka bërë të ditur orën e mbajtjes së Kuvendit. Ajo që dihet është vetëm data, pra 3 gushti.