Haziri nënshkruan marrëveshje me Millenium Foundation Kosova për renovimin e 5 shtëpive të familjeve në nevojë

E publikuar: 28/09/2021 15:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka nënshkruar sot marrëveshjen me Millenium Foundation Kosova (MFK) për mbështetje për renovimin e pesë ekonomive familjare, respektivisht raste sociale me masa të efiçiencës së energjisë.

Përfituesit e këtij projekti, tre janë kryefamiljarë burra dhe dy gra, do të kenë kushte më të mira e më cilësore pas intervenimet me masa efiçiente në shtëpitë e tyre, të cilat, sipas marrëveshjes do të përfundojnë deri në fund të muajit nëntor 2021.

Kryetari Haziri tha se do të vijohet me ritme edhe më të shpejta për t’i dal në përkrahje qytetarëve në nevojë me qëllim që secila familje në kushte të vështira ekonomike, të bëhet më e pasur se ç’ishte dje, duke shtuar se ‘përkushtimi për rritjen e mirëqenies për çdo familje gjilanase është misioni im i shenjtë’.

“Komuna e Gjilanit në mënyrë permamnete ka ofruar shërbime familjare dhe shërbime të tjera të mirëqenies sociale, siç është përkujdesi për të cënueshmit, ndërtimi i shtëpive dhe strehimi për familje në nevojë, ndihmë emergjente me ushqim, barna dhe artikuj higjienikë, shërbime mjekësore në shtëpi për të moshuarit dhe personat me nevoja të veçanta, përkujdesje dhe financim/subvencionim për organizatat-shoqatat për përkujdesje, mbrojtje të fëmijëve të braktisur, përkujdesje për të moshuar pa përkujdesje familjare, ndihmë familjeve të të rënëve, invalidëve dhe veteranëve të luftës etj”, ka thënë Haziri.