Haziri: Gjilani ka brend, por fatkeqësisht po dëshmohet që s’ka kryetar

E publikuar: 30/07/2022 18:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i degës së LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri, ka dalë në një konferencë për media ku ka kritikuar qeverisjen aktuale të kësaj komune.

Ai tha se asnjë projekt i ri nuk ka filluar në Gjilan dhe se kjo administratë nuk po kujdeset për kontratat e punës në fuqi.

“Rritja e kostos, shtrenjtimi i jetës së qytetarëve dhe rritja e çmimeve ka bërë që një numër i madh i operatorëve të mos punojnë dhe të mos i zbatojnë kontratat. Moszgjidhja e problemit të të rishikimit të çmimeve nga ana e operatorëve dhe mosinteresimi i komunës ka bërë që asnjë projekt i kontraktuar që të mos zbatohet”.

“Është shqetësuese moszbatimi i detyrës në ndërtimin e rrugëve regjionale, mungesa e interesimit dhe mosshtyrja e këtyre programeve duke improvizuar rrugën Gjilan-bunari i Përlepnicës. Në vend se të përfundohet rruga deri në hyrje të Dobërçanit sipas projektit të mëhershëm, këta nuk kanë arritur ta kalojnë udhëkryqin e Shillovës”.

Ish-kryetari i Gjilanit ka thënë se qeverisja e Alban Hysenit nuk ka interesim për projekte zhvillimore duke shtuar se “Gjilani nga qendra e investimeve më të mëdha publike po rrëshqet në një depresion politik dhe ekonomik”.

“Mosfillimi i punimeve në rrugën e Prishtinës, përkundër financimit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, moszbatimi i kërkesës së BERZH-it për shpronësim dhe zgjidhjes së problemit për puseta dhe kolektorë të ujërave të zeza po e mban peng fillimin e punimeve”.

“Sa i përket projektit të stadiumit, marrëveshja me operatorin ekonomik është bërë publike për shkëputje të njëanshme nga komuna përkundër që asnjë punë nuk është zhvilluar për shkak të rritjes së çmimeve dhe këtu dëmtohet projekti i stadiumit”.

Lutfi Haziri ka thënë se Alban Hyseni, kundërkandidati i tij në zgjedhjet lokale, ka dhënë 109 premtime, por për nëntë muaj qeverisje janë zero të iniciuara.

“Është e vërtetë që Gjilani ka brend, por fatkeqësisht po dëshmohet që s’ka kryetar!”, tha ai.