Haxhiu: Qeveria po fsheh vendimin për ndarjen e 10 milionë eurove për rrymën e shpenzuar në veri

E publikuar: 13/05/2020 17:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sot, në mbledhjen e rradhës të Komisionit për te Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, u diskutua lidhur me vendimin e Qeverisë në detyrë për ndarjën e shumës prej 10 milionë eurove, për rrymën e shpenzuar në veri. Me kërkesë të deputetes së AAK-së, Teuta Haxhiu, i ftuar në këtë mbledhje ishte Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, për të dhënë vlerësim nëse ka shkelje të të drejtave të njeriut, nga ana e Qeverisë pas marrjës së këtij vendimi.

Duke u bazuar në deklaratën e zëdhënësit të Qeverisë në detyrë, i cili pati deklaruar se qeveria në detyrë ka ndarë 10 milionë për të paguar rrymën e shpenzuar nga serbët në veri, Haxhiu theksoi se ky vendim ështe i pa drejtë dhe diskriminues për taksapaguesit, e sidomos tani në kohë pandemie.
Ndër të tjera, ajo shtroi pyetjen se pse po tentohet të fshihet nga publiku ky vendim nga ana e Qeverisë në detyrë, ku deri më tani asnjë zyrtar i Qeverisë nuk ka demantuar këtë vendim por as nuk e kanë publikuar vendimin, kështu duke e kaluar në heshtje këtë temë.

Në fund, për shkak të heshtjes për deklarim rreth kësaj teme nga zyrtarë të Qeverisë në detyrë, komisioni vendosi që në mbledhjen e rradhës të ftohen në komision përafaqësues të KOST dhe ZRRE, në mënyrë që të qartësohet nëse veç janë ndërmarrur hapa lidhur më këtë çështje.