Hashim Thaçi udhëtoi fshehtë në Amerikë, atje është edhe Vuçiq

E publikuar: 21/03/2018 14:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gazeta Express merr vesh se Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – udhëtim ky që e ka mbajtur fshehtë tash e sa ditë. Para pak ditësh u bë e ditur se edhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka udhëtuar drejt SHBA’ve, pa e lajmëruar vizitën. Partitë opozitare në Beograd e kanë akuzuar Vuçiqin se është përfshirë në negociata sekrete me Hashim Thaçin. Fillimisht në Paris e më pas edhe në SHBA. Pak ditë më parë gazeta prestigjioze austriake “Der Standard” njoftoi se dy Presidentët ishin përfshirë në bisedime për ndarjen e Kosovës, por që ky opsion ishte ndaluar pas intervenimit të Berlinit.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka nisur një vizitë të gjatë jashtë vendit. Por, gjysma e kësaj vizite ishte publike e gjysma po del të jetë e fshehtë.

Fillimisht Thaçi kishte udhëtuar drejt Londrës ku kishte promovuar librin e tij të botuar së voni. Më pas kishte udhëtuar drejt Parisit ku po ashtu e kishte promovuar librin dhe kishte dekoruar ish-Presidentin Sarkozy dhe ish- ministrin e Jashtëm Bernard Kouchner. Pas Parisit, Presidenti nuk ka bërë asgjë publike për aktivitetin e tij.

Në Serbi, ish –Ministri i Jashtëm Vuk Jeremiq ka akuzuar Vuçiqin se ka pasur darkë të fshehtë me Thacin para se ky i fundit ta takonte Presidentin Macron.

Jeremiq më pas ka njoftuar se Vuçiq ka udhëtuar drejt Shteteve të bashkuara të Amerikës për ti vazhduar negociatat sekrete me Thaçin dhe duke e provokuar atë “A jeni në hotelin e njëjtë”.

Sido që të jetë, Gazeta Express merr vesh se Thaçi tash e sa ditë është duke qëndruar në SHBA.

Mediat serbe duke u thirrur në burime kanë njoftuar se Presidenti i Serbisë ka pasur takime me zyrtarë të Administratës së SHBA’së duke e quajtur këtë ofensivë diplomati të tij për çështjen e Kosovës.

Por këtu nuk përfundon historia e tij e Thaçit me Vuçiq.

Ata të premten do të jenë në Bruksel, ku janë ftuar nga Mogherini për bisedime të nivelit të lartë që kanë të bëjnë me definimin e formatit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Gjatë fundjavës gazeta vjeneze „Der Standard“, ka shkruar rreth bisedimeve për ndarjen e Kosovës. Sipas kësaj të përditshmeje gjermanët kanë parandaluar ndarjen e Kosovës, të cilën e kanë favorizuar serbët, por edhe pala kosovare për shkak të lodhjes me çështjen e veriut. Kjo, sipas diplomatëve, edhe ka bërë që të ndërhyjë Berlini. Por, një zyrtar, në kushte anonimiteti i ka thënë gazetës austriake se ka frikë Thaçi dhe Vuçiq mund të flasin në kanale tjera rreth ndarjes së Kosovës./Express/