
Mbretëria e Bashkuar pret që institucionet e reja në Kosovë të formohen sa më shpejt të jetë e mundur për të nisur punën dhe angazhimin e plotë në dialogun me Serbinë të lehtësuar nga Bashkimi Europian.
Kështu ka deklaruar ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, në një përgjigje për Express.
Me rezultatet aktuale ku janë numëruar thuajse të gjitha votat tashmë është e qartë që Kosova do ta ketë një qeveri koalicionesh. Por, me deklarimet e partive për bashkëpunime të mundshme duket që proceset do të mund të bllokohen. Megjithatë, kjo nuk është ajo që aleatët e Kosovës presin nga klasa politike.
Ambasadori britanik Jonathan Hargreaves krahas përgëzimit për procesin e qetë të mbajtjes së zgjedhjeve të dielën tha se Kosova do të duhet të ketë sa më shpejt Kuvendin e Qeverinë të formuar.
“Është e rëndësishme për Kosovën që Kuvendi dhe qeveria e re të mund të formohen sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që Kosova t’u shërbejë të gjithë qytetarëve të saj dhe të angazhohet plotësisht për të arritur progres në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, tha ai.