Haradinaj tregon tri zhvillimet që mund të ndihmojnë në arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi

E publikuar: 10/08/2022 17:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në prag të takimit të 18 gushtit në Bruksel, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përmendur tri zhvillime të cilat sipas tij, mund të ndihmojnë në arritjen e marrëveshjes finale Kosovë-Serbi.

Sipas Haradinajt, institucionet e Kosovës dhe ambasadorët e vendeve të QUINT-it duhet të kenë komunikim intensiv me serbët e veriut, me të gjitha nivelet e mundshme deri me 1 shtator.

Po ashtu, ka thënë se duhet “angazhim për qëndrime të përmbajtura pas takimit të 18 gushtit dhe në asnjë mënyrë retorikë luftënxitëse”.

Dhe në fund, Haradinaj ka deklaruar se udhëheqësit e Bashkimit Evropian duhet të ia dorëzojnë agjendën e dialogut presidentit amerikan, Joe Biden, “në mënyrë që t’i ftojë liderët e dy vendeve për marrëveshjen finale për njohje reciproke sa më parë”.

“Kuptohet, Kosova duhet t’i kryejë punët e shtëpisë, ligjin e pagave dhe beneficionet për Policinë e Kosovës”, ka shkruar i pari i AAK-së në Facebook.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë pranuar ftesën e Bashkimit Evropian që më 18 gusht të zhvillojnë rundin e ri të bisedimeve.

Kjo ftesë erdhi në kohën e rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, pasi serbët lokalë vendosën barrikada për të kundërshtuar dy vendime të Qeverisë së Kosovës që kishin të bënin me dokumentet dhe targat serbe.

Barrikadat u hoqën pasditen e 1 gushtit dhe Qeveria e Kosovës u zotua se do të shtyjë për një muaj zbatimin e këtyre dy vendimeve.

Takimi i 18 gushtit do të jetë i treti midis Kurtit dhe Vuçiqit. Ata në kuadër të dialogut janë takuar dy herë gjatë vitit të kaluar, por dy takimet nuk kanë prodhuar ndonjë rezultat konkret.

Një takim mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë ishte paraparë të mbahej më 19 korrik, por sipas kryeministrit Kurti, takimi u shty me kërkesën e presidentit Vuçiq.