Haradinaj: Shpresoj që deputetët të jenë unik për çështje të interesit shtetëror

E publikuar: 07/09/2017 16:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kandidati për kryeministër të Kosovës nga radhët e koalicionit PAN, Ramush Haradinaj, zgjedhjen e Kadri Veselit si Kryetar Kuvendi dhe njëherësh konstituimin e Kuvendit e vlerësuar një zhvillim pozitiv në përmbylljen e procesit të krijimit të institucioneve të Republikës së Kosovës, shkruan infosot.
“Konstituimi i Kuvendit të Kosovës, është një lajm i mirë për vendin. Për më tepër është një zhvillim pozitiv në përmbylljen e procesit të krijimit të institucioneve të Republikës së Kosovës, të dala nga zgjedhjet e qershorit 2017.

Unë besoj fuqishëm që Parlamenti i Kosovës, do të jetë një arenë debatesh dhe ballafaqimi të argumentuar, ndërmjet shumicës parlamentare dhe opozitës. Po ashtu jam i bindur se Parlamenti i Kosovës, do të jetë institucioni që do të luaj rol vendimtar në zgjidhjen e çështjeve jetike për vendin, duke shpresuar se deputetët do të jenë unik, posaçërisht në temat e interesit nacional shtetëror.

Kryetarit të Kuvendit, zotit Kadri Veseli dhe të gjithë nënkryetarëve, iu uroj sukses në detyrën që kanë marrë, i bindur se puna dhe përgjegjësitë e tyre do të jenë në pëputhje të plotë më demokracinë parlamentare në vend”, ka shkruar Haradinaj./infosot/