Haradinaj: Sa e pafytyrë pafajësia energjetike e Albin Kurtit!

E publikuar: 27/12/2021 17:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lideri i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Vetëvendosje po sillet si me pasë ardhë prej Marsit këtë vit dhe me gjetë këtë gjendje të rëndë energjetike.

Në një postim në faqen e tij në Facebook, me titullin “Sa e pafytyrë pafajësia energjetike e Albin Kurtit!”, ish-kryeministri Haradinaj ka rikujtuar se Lëvizja Vetëvendosje është qe 11 vjet parti parlamentare në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe qe 17 vjet në mënyrë aktive funksionon si organizatë politike.

“Gjatë gjithë ekzistencës politike të Kurtit dhe të organizatës së tij kurrë nuk kanë ndaluar të fyejnë, shajnë e demonizojnë çdo projekt energjetik që ka ekzistu në Kosovë”.

“Këta e demonizuan Kosovën C, që në vitin 2008 do të duhej të fillonte të ndërtohej, e që Kosovës do t’i siguronte 2200 megavat energji”.

“Këta e demonizuan dhe e bënë të qartë se nuk e përkrahin as Kosovën e Re që vitin e ardhshëm do t’i jepte Kosovës 500 megavat energji”, ka theksuar Haradinaj.“Në cilësinë e mashtruesit shitet si i vetmi person që ka qenë kundër shitjes së distribucionit, e harron se shumica e partive politike kanë qenë, po ashtu, kundër”.

Ndërsa, distribucioni i Kosovës, sipas Haradinajt, u shit nga partia më e madhe e kohës (PDK), “e asistuar nga njerëz që sot gjejnë strehë në Lëvizjen Vetëvendosje dhe na shesin moral për interesat nacionale”.

“Kosova është vendi i vetëm në botë që ka resurse energjetike, por ka dhe krizë energjetike”, shprehet kreu i AAK-së.

Ish-kryeministri ka kritikuar dhe qasjen e Albin Kurtit si “protagonist global i mjerë, në tendencë në luftën kundër korporatave dhe globalizimit”, dhe që e ka vulën e vet në krizën energjetike të Kosovës.

“Kanë qenë korporatat ato që do ta shndërronin Kosovën në fuqi energjetike por fatkeqësisht këto nuk janë në përputhje me ideologjinë e Kurtit”, përfundon reagimi i Haradinajt.