Haradinaj: Qeveria të plotësojë kërkesat minimale të sindikatave

E publikuar: 23/09/2022 21:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se roli udhëheqës i ShBA-së në dialog dhe garancia e tyre për marrëveshjen finale janë shumë të rëndësishme.

“Roli udhëheqës i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, garancia e tyre për marrëveshjen gjithëpërfshirëse me njohje reciproke, janë shumë të rëndësishme për vendin tonë”.

Ai këtë deklaratë e bëri në bashkëbisedim me qytetarët e Gjilanit, në kuadër të turneut që AAK ka nisur nëpër komunat e Kosovës, e ku gjithashtu e kritkoi ashpër Qeverinë Kurti.

I pari i AAK-së me gjilanasit foli, pos për problemet e tyre, edhe për kërkesat e sindikalistëve të cilat tha se duhet të plotësohet nga qeveria sa më shpejt.

“Me qytetarët e Gjilanit bashkëbiseduam edhe për qeverisjen e sëmurë në vend, mosangazhimin e saj për zbutjen e varfërisë dhe krizave ekonomike dhe energjetike. Gjilanasit më treguan edhe për problemet e tyre lokale, shqetësimin e thellë për ndërprerjen e projekteve kapitale të nisura që para vitit 2019”.

“Duke folur për krizën në arsim, vlerësova se Ligji i Pagave, ishte i dyti sipas rëndësisë, pas ligjeve të Ushtrisë, gjatë kohës kur isha kryetar qeverie. Qeveria sa më parë, të plotësojë kërkesat minimale të sindikatave dhe sa më parë të sjellë për miratim Ligjin e Pagave”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.