Haradinaj për presidencën gjermane të BE-së: Një energji e re do ta përfundojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën

E publikuar: 01/07/2020 11:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish’kryeministri i Kosovës dhe kreu i AAK’së, Ramush Haradinaj ka thënë se pret përfundimin e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën gjatë mandatit gjashtëmujor të Gjermanisë në krye të BE-së.

“Kancelarja Merkel si askush tjetër në BE i kupton nevojat e Kosovës që janë ndrydhur për një kohë të gjatë, si pasojë e politikave të ngadalta të Bashkimit Evropian”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e tij në Facebook.

Ky është postimi i tij i plotë:

Që sot, Gjermania kryeson Presidencën e Këshillit të BE-së për gjashtë muajt e ardhshëm. Shteti gjerman me konsistencë ka mbështetur Kosovën drejt pavarësisë dhe shtetndërtimit, prandaj kryesimi i BE-së nga një aleat si Gjermania, përbën lajm të mirë për qytetarët e Kosovës. Kancelarja Merkel si askush tjetër në BE i kupton nevojat e Kosovës që janë ndrydhur për një kohë të gjatë, si pasojë e politikave të ngadalta të Bashkimit Evropian. Nuk kam dyshim që përgjatë mandatit gjashtëmujor të Gjermanisë në krye të BE-së, një energji e re do ta përfundojë procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe do t’i çojë përpara proceset integruese të Kosovës në organizatat dhe institucionet e Bashkimit Evropian.RH