Haradinaj: Ndihma e Britanisë është e nevojshme

E publikuar: 20/04/2018 11:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri Haradinaj është takuar me drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Jashtme Britanike, Fiona Mcilwham me të cilën ka diskutuar për fuqizimin e rendit dhe ligjit, implementimet e marrëveshjeve të Brukselit dhe përkushtimin e Kosovës për rrugën europiane.

“Britania e Madhe e ka ndihmuar Kosovën në të gjitha fazat e shtetndërtimit dhe ndihma e këtij vendi mik është e nevojshme edhe për proceset e tanishme nëpër të cilat po kalon Kosova, veçmas në rrugën e saj integruese”, ka thënë Kryeministri Haradinaj.

Po ashtu, në takim është biseduar edhe për forcimin e bashkëpunimit ekonomik rajonal, avancimet e raporteve mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe procesin e dialogut me Serbinë.

Kryeministri Haradinaj bëri të ditur se Kosova dhe institucionet e saj kanë punuar me përkushtim të shtuar për të plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

Ndërkaq, drejtoresha për Ballkanin Perëndimor, Fiona Mcilwham përshëndeti progresin e arritur në Kosovë dhe rajon, duke ofruar mbështetjen e plotë për angazhimin e institucioneve të Kosovës në sigurimin e paqes së qëndrueshme dhe perspektivës europiane të Kosovës.

Mcilwham po ashtu vlerësoi edhe fillimin e punës së mekanizmit punues për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe siguroi që Britania e Madhe do të angazhohet aktivisht që të ofrojë përkrahjen që të gjitha marrëveshjet e Brukselit të implementohen nga Kosova dhe Serbia./kallxo.com/