Haradinaj: Mund t’i kërkoj Zaevit të na lejojë të kërkojmë policët edhe në Maqedoni

E publikuar: 29/04/2018 19:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i shoqëruar nga ministri i Punëve të Brendshme, Bejtë Gashi, dhe u.d. i drejtorit të përgjithshëm të Policisë, Naim Rexha, kanë arritur në vendin ku mbrëmë dy pjesëtarë të Policisë ranë me veturën zyrtare nga rruga magjistrale Kaçanik-Hani i Elezit në rrjedhën e lumit Lepenc.

Ndonëse kërkimet janë zhvilluar mbrëmë dhe po vazhdojnë edhe sot, trupat e dy policëve nuk janë gjetur ende, ndërsa vetura në të cilën ishin ata është nxjerrë nga uji.

Në kërkim të trupave të dy policëve janë angazhuar njësi të Policsë, FSK-së, Zjarrfikësve e qytetarë vullnetarë.

Pasi ka arritur në vendin e ngjarjes, kryeministri Haradinaj do ta kontaktojë edhe homologun e tij maqedonas, Zoran Zaev, që nëse lind nevoja t’i kërkojë leje për kërkime edhe në pjesën e lumit në Maqedoni.

Ai premtoi se do Qeveria e Kosovës do t’u qëndrojë afër kolegëve të policëve të zhdukur si dhe familjeve.

“Shpresoj që do të na befasojë një lajm i mirë por po shihet një gjendje e rëndë”, theksoi ai.